Osmani-Havisto: Nevojitet ta rikthejmë kredibilitetin e procesit të zgjerimit

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në prag të Samitit të nesërm BE-Ballkani Perëndimor, sot  në Varshavë u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Peka Havisto, me ç’rast janë shkëmbyer mendime dhe pritjet në lidhje me revitalizimin dhe rolin e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Sip kumtoi MPJ-ja, theksi gjithsesi se u vendos në perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për të cilën Finlanda shpreh mbështetjen e saj të plotë.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen parimore të Finlandës dhe qëndrimet e saja të palëkundura  për mbështetjen e gjithë rajonit. Është më se e nevojshme ta kthejmë besimin dhe kredibilitetin e procesin e zgjerimit, si kontributi më i rëndësishëm në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe gjithë kontinentit”, tha Osmani, duke theksuar se vendi mbetet i përkushtuar në procesin e reformave në fushat kryesore.

Të dy ministrat diskutuan gjithashtu edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, situatën me KOVID-19 në të dy vendet dhe çështje të tjera aktuale.

Ministri Osmani në Varshavë merr pjesë në Forumin e sigurisë në Varshavë (WSF) – platformë udhëheqëse evropiane, kushtuar bashkëpunimit transatlantik, të fokusuar në gjetjen e përgjigjeve të përbashkëta për sfidat e sigurisë.