Osmani: “E Majta” në shërbim të propagandës ruse! Referendumet për çështje strategjike janë precedent i rrezikshëm

TË FUNDIT

Nisma për referendum është e dëmshme dhe kjo nuk guxon që të ndodhë, mendon shefi i diplomacisë Bujar Osmani. Por, pas refuzimit të nismës në Kuvend, edhe “E Majta” paralajmëroi se do të dorëzojë nismë për referendum për prishje të Marrëveshjes me Bullgarinë. Osmani thotë se kjo parti nuk është maqedonase por se është e stimuluar dhe e financuar në shërbim të propagandës ruse.

“Marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të prishen me vendime të njëanshme. E treta, referendume njënacionale për çështje strategjike të shtetit, janë precedent të rrezikshëm për Maqedoninë e Veriut dhe nuk guxojnë që të ndodhin. Për “Të Majtën” kam qëndrim timin, se kjo nuk është parti maqedonase, por se janë në funksion të propagandës ruse që ta kthejnë popullin maqedonas kundër BE-së dhe SHBA-ve”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Përveç paralajmërimit për referendum, “E Majta” deri te Prokuroria Publike dorëzoi padi penale kundër kryetarit të Kuvendit talat Xhaferi, për, siç thonë, pengim të votimit të qytetarëve në referendum.

“Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, me vullnet të tij dhe në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren pamundëson zbatimin e iniciativës qytetare në nivel shtetëror për grumbullim të 150.000 nënshkrimeve për shpalljen e një referendumi të detyrueshëm shtesë për Ligjin për Ratifikim të Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, thonë nga E Majta.

Përndryshe, sa i takon skriningut, Osmani tha se të dyja fazat, edhe ajo sqaruese, ehe ajo dypalëshe duhet të përfundojnë deri në nëntor 2023. Deri atëherë, ai pret të përmbyllet edhe procesi i ndryshimeve kushtetuese. Por, si do të realizohet kjo duke pasur parasysh qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, e cila këmbëngul se nuk do t’i mbështesë ndryshimet, sidomos pas refuzimit të nismës së tyre për referendum.

“Brenda VMRO-DPMNE-së tani ka disa zhvillime të reja, ndoshta fokusi është vënë pikërisht në këto zhvillime, por unë ndjej dhe nga komunikimi im me njerëz nga VMRO-DPMNE-ja vërej se edhe atje ka mirëkuptim se ky proces nuk sjell asnjë dëm, se Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet peng i interesave të përditshëm partiake dhe politike, por përkundrazi ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë, sepse askush nuk dëmtohet nga ato”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Maqedonia dje nisi procesin e skriningut, për të cilin, siç tha Osmani, nga 6 klasterë, në 5 prej tyre RMV-ja renditet e para ose e ndan vendin e parë me vendet e tjera sa i takon nivelit të përmbushjes së detyrave.