OSMANI DHE DIMITROV OPTIMIST PËR ZGJEDHJET, “SUKSESI I ZGJEDHJEVE LIDHET ME SUKSESIN E INTEGRIMEVE”

TË FUNDIT

Zgjedhje të suksesshme më 5 maj do të jenë tregues dhe mesazhi më i fortë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian se vendi është i gatshëm për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Zv/kryeministri Bujar Osmani  tha se zgjedhjet do të jenë argumenti i fundit për t’i dëshmuar Komisionit Evropian se ky vend i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se vendi është shumë afër qëllimit për të filluar bisedimet në qershor  andaj apelon qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës në bazë të bindjeve të tyre por të dalin dhe të votojnë për të ndihmuar këtë proces të rëndësishëm të vendit.

“Censusi i arritur më 5 maj, zgjedhjet e suksesshme më 5 maj, pavarësisht se kush fiton, do të jetë reflektimi më i mirë për kapacitetin demokratik, për pjekurinë tonë si shtet dhe si qytetarë për të vendosur për fatin tonë dhe për t’u dhënë mesazh vendeve anëtare se ne jemi të gatshëm për të filluar bisedimet. Çdo dështim i mundshëm më 5 maj do të fusë vendin në një krizë të rëndë politike dhe ekonomike dhe do të japë një mesazh të gabuar të vendet anëtare”, u shpreh zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Gjithashtu ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha se në bazë të reformave dhe në bazë të zgjidhjeve të çështjeve të rëndësishme bilaterale, është shumë e vështirë që ndonjë vend anëtar i BE-së t’i thotë “jo” historisë së Maqedonisë në vitin 2019 dhe sipas tij mesazhi  nga Samiti i Berlinit  nuk është marrë ashtu siç duhet.

“Procesi zhvillohet në tre hapa, njëherë Komisioni Evropian e publikon raportin, shtetet anëtare e lexojnë, analizojnë bëjnë krahasim me informacionet e tyre, marrin qëndrim në bazë të atij raporti, dhe më pas në kuadër të Këshillit për punë të përgjithshme , e pastaj Këshilli i BE-së, marrin vendim politik”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Zv/kryeministri Osmani tha se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha  pikat që duhej t’i përmbushë para raportit të Komisionit Evropian dhe se ka mbetur vetëm një çështje pa u mbyllur, çështje e ligjit për PPS-në. Ai pret që pas zgjedhjeve presidenciale menjëherë të riaktualizohet debati mes pushtetit dhe opozitës dhe shpreson që në maj të gjendet zgjidhje edhe për fatin e Prokurorisë Speciale.

Përgatiti: Valmira Zendeli