Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, kthen modelin jugosllav dhe legalizon përjashtimin, deklaroi nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani. Shtoi se balancuesi si mekanizëm i detyrueshëm për përfaqësim të drejtë nuk mund të ketë asnjë zëvendësim.
-Ai ligj është për të legalizuar përjashtimin. Fjalë për fjalë një mënyrë për të legalizuar përjashtimet. Dhe kam thënë se duhet të bëjmë rezistencë fizike në kuvend për ta penguar miratimin e tij. Nëse miratohet, po ju them, gjëja e parë kur gjërat ndryshojnë do të jetë shfuqizimi i atij ligji. Sepse ky është një kthim në atë…
-Për të miratuar këtë ligj, nevojitet shumica.
-Ai ligj rikthen modelin jugosllav të vendimmarrjes në administratë, ku nën maskën e një lloj meritokracie ose kompetence, bëhen përjashtime.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se deklaratat e Osmanit zbulojnë synimet e tij politike, ndërsa vlerësoi se projekt-ligji për Përfaqësim të Drejtë është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i miratuar nga Komisioni i Venecias.
“Kërcënimet e Bujar Osmanit tregojnë vetëm se cilat janë qëllimet e tij të vërteta, është një ligj që është miratuar nga Komisioni i Venecias dhe që përmbush të gjitha kërkesat ndërkombëtare, përndryshe nuk kam çfarë të them për përmbajtjen e deklaratës së tij, supozoj se është folklori me të cilin po vepron, në mënyrë që ta dëgjojmë. Kemi një marrëveshje ndërkoalicionale, ligji është dërguar në Parlament dhe pres që të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Hristijan Mickoski.
Për këtë temë u pyet edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, e cila tha se nuk dëshiron të komentojë deklarata, por për balancuesin, në formën siç ishte, tha se çoi në korrupsion dhe kriminalizim.
“Nuk mendoj se është fare çështje prishjeje, sepse balancuesi, siç ishte, në thelb çoi në korrupsion dhe kriminalizim. Emërimi i pozicioneve më të larta ndodhej në duart e individëve dhe ata fituan një pushtet të madh, pothuajse sulltanik. Ne nuk e hoqëm balancuesin sepse donim, por sepse u deklarua në raport”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.
Përndryshe, pas shfuqizimit të balancuesit, Qeveria përgatiti propozim-ligj të ri për përfaqësim të drejtë dhe barabartë, të cilin para se ta dërgonte në Kuvend, e çoi në Komisionin e Veneicas për mendim. Tani ligji është në procedurë parlamentare, por ende nuk është vendosur në rend dite.
