Orban: Vetëm SHBA-ja dëshiron me të vërtetë paqe

TË FUNDIT

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, në intervistën e tij të rregullt për radion “Kossuth”, paralajmëroi për një rrezik të shtuar që Evropa të përfshihet në një konflikt më të gjerë të armatosur, duke bërë paralele me periudhën para Luftës së Parë Botërore.

“Asokohe askush nuk dëshironte një luftë të madhe, por kontinenti u përfshi megjithatë në të. Rreziku i njëjtë ekziston edhe sot”, tha ai, duke shtuar se Hungaria duhet të angazhohet fuqimisht për paqe.

Orban vlerësoi se disa liderë evropianë, në mënyrë të hapur, po komplotojnë një konflikt me Rusinë, por situata sot është më e mirë se vitin e kaluar, sepse SHBA-ja, përmes presidentit të saj, mbështet tani një armëpushim.

“Sot vetëm një fuqi e madhe dëshiron paqe – SHBA-ja,” deklaroi Orban.

Kryeministri theksoi se Hungaria duhet të mbështesë përpjekjet e udhëhequra nga Uashingtoni dhe shprehu pritshmëri se së shpejti shumica e vendeve evropiane do të zgjedhin qeveri të orientuara drejt paqes. “Nëse Evropa me të vërtetë dëshiron paqe, duhet të mbështesë presidentin amerikan,” shtoi ai.

Orban tha se Qeveria hungareze po përgatitet për një takim të ardhshëm me liderin amerikan më 7 nëntor, të cilin e përshkroi si “ditë hungareze në Uashington”, e dedikuar për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale dhe përgatitjen e një marrëveshjeje të re për bashkëpunim ekonomik.

Duke folur për financimin e Ukrainës, Orban deklaroi: “Kush e mbështet Ukrainën, mbështet luftën”. Ai vlerësoi se Brukseli nuk ka mjete të veta financiare, por disponon vetëm paratë e vendeve anëtare, kështu që çdo financim shtesë për Ukrainën do të nënkuptonte rritje të taksave ose detyrime të reja.

Orban përkujtoi se strategjia ekonomike e aplikuar pas vitit 2010 ka dhënë rezultate reale. “Ajo që propozojnë ekonomistët nga Tisa tashmë është provuar – dhe ka dështuar,” tha ai.

Ai paralajmëroi një rritje prej 15% të pagave në sektorin social dhe konfirmoi se vendosja e pensionit të 14-të mbetet një prioritet kryesor. “Sistemi pensional nuk duhet ndryshuar – duhet vetëm të rriten pensionet,” deklaroi Orban, duke kujtuar gjithashtu vendosjen e pensionit të 13-të, i cili më parë ishte hequr.