Orban: BE-së i nevojitet strategji e re për luftën në Ukrainë, sanksionet nuk kanë efekt

TË FUNDIT

Kryeministri hungarez Viktor Orban sot deklaroi se Bashkimit Evropian i nevojitet strategji e re rreth luftës në Ukrainë, sepse sanksionet kundër Moskës nuk kanë efekt.

“Nevojitet strategji e re e cila duhet të përqendrohet në bisedimet paqësore dhe si të arrihet propozim i mirë paqësor… në vend të asaj se si të fitohet lufta”, tha Orban në një fjalim në Rumani.

Në fjalimin e tij të sotëm para mbështetësve të tij në Rumani Orbani theksoi se strategjia perëndimore është ndërtuar mbi katër shtylla: se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër Rusisë me armët e NATO-s, se sanksionet do ta dobësojnë Rusinë dhe do ta destabilizojnë udhëheqësinë e saj, se sanksionet do ta dëmtojnë Rusinë më shumë se sa Evropën dhe se bota do të organizohet në shenjë të mbështetjes për Evropën.

Ai, megjithatë deklaroi se kjo strategji është e pasuksesshme, sepse qeveritë në Evropë rrëzohen “si domino”, çmimet e energjisë u rritën dhe tani është e nevojshme strategji e re.

Ukraina, shtoi kryeministri hungarez, asnjëherë nuk do ta fitojë luftën në këtë mënyrë, sepse “thjeshtë armata ruse ka dominim asimetrik”.