Ky është Arif Ismaili bujk nga Tetova… Arifi duhet që çdo ditë të përkujdeset për të mbjellat e tij që të mbajë me bukë familjen. Që nga orët e mëngjesit, Arifin mund ta shohësh çdo ditë duke punuar, në tokën e tij në afërsi të fshatit Falishtë.
Por, masat kundër pandemisë, kanë prekur bujqit dhe blegtorët. Arifi thotë se për aq ditë do të vlejë ora policore, do të duhet që i vetëm të punojë dhe të mbjellë, pasi që nga Ministria e Bujqësisë ka arritur të sigurojë leje vetëm për vete, gjë që e vështirëson punën e tij.
“Me lejet e qarkullimit kemi problem se na japin vetëm për një person, na japin një leje vetëm, ndërsa punët në fushë nuk mund ti bëjë vetëm një person, duhet të jenë dy tre vetë që të bëhen punët në fushë”, tha Arif Ismaili, Bujk.
Por ky nuk është problemi i vetëm i bujqve sepse në këtë periudhë kohore të njëjtit nuk mund as të shesin produktet e tyre. Në shtëpi u kanë ngelur me tonelata patate dhe të njëjtat nuk mund të shiten pasi që lëvizjet janë të kufizuara dhe tregjet gjysmë funksionale.
“Me të mbjellat kemi problem se nuk na lënë të dalim, nuk kemi njerëz , ata thonë mbylluni, si të mbyllesh, ku të marrësh të hash ushqim. Nuk shiten, kemi frikë për shitjen , ke tre ditë orë policore, ti nuk mund të shesësh asgjë, produktet hidhen, të gjitha do hidhen, as vetë se di se çfarë do bëhet”, tha Arif Ismaili, Bujk.
Por Arif Ismaili nuk është i vetmi që ka këtë hall. Në njësinë rajonale në Ministrinë e Bujqësisë në Tetovë thonë se deri më tani leje për qarkullim kanë kërkuar 1400 bujq dhe blegtorë.
“Sa i përket lejeve për qarkullim në orën policore në Ministrinë e Bujqësisë, në njësinë rajonale të Tetovës kërkesë kanë bërë 1400 bujq të rregullt”, tha Afrim Serjani, Njësia Rajonale M. Bujqësisë Tetovë.
Ndërsa, nga komuna e Tetovës rreth 700 bujq të paregjistruar kanë kërkuar leje për qarkullim për fundjavë sa do të zgjasë ora policore.
