U bënë 12 ditë që kur masa e kufizimit të lëvizjes – ora policore është kthyer sërish.
Autoritetet shëndetësore dje njoftuan, se ajo do të vazhdojë të vlejë në po të njëjtën formë, duke filluar në ora 22:00, për të përfunduar në ora 05:00 të ditës së nesërme.
Dje, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi, se këtyre ditë analizohet situata epidemiologjike, në aspekt të nevojës së miratimit të masava më rigoroze anti-Covid.
“Ora policore vazhdon. Kufizimi i lëvizjes është prej 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Komisioni për sëmundje ngjitëse gjatë ditëve në vijim, sipas analizës epidemiologjike do të vërtetojë se a janë të nevojshme masa shtesë restriktive. Apeloj për respektim të masave dhe protokolleve shëndetësore”, tha Filipçe në profilin e tij në “Facebook”, transmeton TV21.
Komisioni për sëmundje ngjitëse do të mblidhet sot dhe në kuadër të tij pritet shqyrtimi i nevojës së rekomandimit të masave Anti-Covid.
Rikthimi i masave vjen, pasi vendi ka shënuar rritje konstante të rasteve pozitive, të viktimave dhe të hospitalizuarve nga Covid-19, kurse nga ana tjetër ende nuk ka filluar vaksinimi masiv i popullsisë./TV21
