Tri subjektet opozitare, përkundër që Gjykata Kushtetuese për herë të dytë kaloi në Kuvendin e Kosovës, nuk e kanë ndërmend të zmbrapsen.
Shefat e grupeve parlamentare opozitare kanë konfirmuar se do të dërgojnë Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar atë se si qëndron amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës në raport me aktin më të lart juridik të shtetit, me sovranitetin e vendit si dhe me juridiksionin e sistemit të drejtësisë në vend.
Shefi i grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në një prononcim dhënë KosovaPress, tha se tashmë kanë filluar koordinimet e tri subjekteve opozitare, VV, AAK dhe Nisma për Kosovën që çështja të dërgohet në Kushtetuese.
Ndërsa shefja e GP të Nisma për Kosovën Valdete Bajrami, për KosovaPress, tha se mënyra se si gjithçka ka shkuar në dy seancat e fundit tregon për atë se gjithçka sa i përket Speciales është zhvilluar duke mos ndjekur procedura, e në formën më jo demokratike të mundshme.
Sipas Bajramit, ndonëse ishte proklamuar nga mediet se ditën e djeshme subjektet opozitare do të përdornin metoda të dhunshme për të ndalur votimin, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që subjekti që ajo përfaqëson dhe dy të tjerat, do të shfrytëzojnë të gjitha mënyrat ligjore që kanë para vetës, për të treguar sipas saj se me riprocedimin e amendamentit kushtetuese në Kuvend ka pasur shkelje ligjore.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim kanë votuar ndryshimet kushtetuese e më pastaj edhe dy projektligjet që tashmë i kanë hapur rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
