Për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, Lëvizja BESA kërkon dorëheqjen urgjente të disa zyrtarëve, përfshirë ministrin e brendshëm Oliver Spasovski dhe zv/ministrin Nazim Bushi. Nga kjo parti ngrenë shqetësim për pasigurinë dhe kriminalitetin në Maqedoninë e Veriut.
“Pas gjithë kësaj nëse ministri Oliver Spasovski, zv/ministri Nazim Bushi, kanë vetëm pak ndërgjegje dhe pak moral atëherë duhet urgjentisht të japin dorëheqje. Në të kundërtën jemi të sigurt se krimi do të rritet, pasiguria e qytetarëve do të jetë edhe më e madhe, ndërsa vendi rrezikon të kalojë në anarki ku çdo qytetar vetë do të kujdeset për sigurinë e tij dhe fëmijëve të tij.”- deklaroi Lulzime Ameti – Zëdhënëse e Lëvizjes Besa.
Pse policia e Spasovskit reagoi shumë vonë? A është normale që për një ngjarje kaq tragjike të informojë publikun përmes një njoftimi të zbehtë në orën 21:00 të së dielës – çfarë fshehin dhe pse u desh kaq shumë nga publikimi i lajmit deri në mbajtjen e një konference për media? Këto janë disa nga pyetjet që parashtruan nga VMRO-DPMNE, prej ku njëjtë kërkojnë largimin e Spasovskit nga pozita ministër.
“Spasovski është turp për policinë! Kërkojmë që Spasovski të japë dorëheqjen menjëherë. Emri i tij është sinonim i skandaleve dhe krimit. Dorëheqje menjëherë për ministrin – mik të krimit. Dhe ne kërkojmë që si VMRO-DPMNE, si parti politike, të paaftët nga pushteti më në fund të kujtojnë dhe të shpallin ditë zie.”- tha Igor Janushev – deputet i VMRO-DPMNE-së.
I pyetur nëse ndjen përgjegjësi morale dhe do të dorëzojë dorëheqje, Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, tha se policia ka vepruar në kohë dhe ka marrë të gjitha masat, e këtë pyetje e vlerësoi si politike.
