Është shtyrë për nesër hetimi për zjarrin që ra në arkivin e gjykatës Themelore në Kumanovë. Prokurorja Teuta Bediu-Ramadani për MIA ka informuar se shtyrja është bërë për shkak se vendi ku ka rënë zjarri ende nuk është i sigurt për të bërë hetime. Ndërkaq në hetim do të marrin pjesë ekipe nga Sektori për Punë të Brendshëm Kumanovë, krim-teknika, inspektor për zjarre dhe ekspert për elektroinxhinieri.
“Inspektimi është shtyrë për shkak të udhëzimeve të komandantit të Njësisë territoriale kundërzjarrit në Kumanovë, i cili na sqaroi se nuk është e sigurt dhe se deri nesër do të ketë roje zjarrfikësish. Mbetet që nesër të kryhet inspektimi nëse plotësohen të gjitha kushtet”, thonë nga Prokuroria Themelore Kumanovë.
Ndërkaq ministria e Drejtësisë sot foli për konstatime të tjera për çështje problematike sa i përket arkivit të gjykatës në Kumanovë. Thonë se gjatë mbikëqyrjeve të fundit që kanë bërë janë konstatuar parregullsi gjatë arkivimit të lëndëve, por nuk janë marrë masa nga gjykata.
MINISTRIA E DREJTËSISË:
-Komisioni për mbikëqyrje të funksionalitetit të sistemit AKMIS në gjykatat, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, mbikëqyrjen e fundit mbi punën e Gjykatës Themelore të Kumanovës e ka kryer më 6 qershor, gjatë së cilës është konstatuar:
- Arkivi i gjykatës ndodhet në podrum.
- Arkivimi i objekteve ka përfunduar në vitin 1971.
- Nuk ka arkivim të vazhdueshëm të lëndëve.
- Ky problem zvarritet me dekada dhe është konstatuar që nga mbikëqyrja e parë kur gjykata u ngarkua me fillimin e arkivimit.
Për VMRO-DPMNE-në djegia e arkivit në gjykatën Themelore të Kumanovë është e dyshimtë. Deputeti Brane Petrushevski thotë se pikërisht në periudhat kur LSD-BDI kapen në krim dhe në jehonën e zbardhjes së krimeve më të mëdha, në mënyrë misterioze ndodhin fatkeqësi nga ku qartazi shkatërrohen dokumente.
“Kur shteti dridhej nga skandale të mëdha digjej ministria e Drejtësisë, tani kur çdo ditë dalin afera kriminele për qeverinë, digjet arkiva e gjykatës së Kumanovës. Rastësisht nga Kumanova është edhe Oliver Spasovski edhe Dimitar Kovaçevski. A ka djegur zjarri në gjykatën e Kumanovës dokumente për ta dhe për të afërmit e tyre. Çka është shkatërruar e çka ka mbetur duket qartë se me këtë qeveri nuk do ta marrim vesh”, tha Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Edhe nga Alternativa kanë shprehur dilema dhe dyshime se djegia e arkivit të gjykatës në Kumanovë është bërë me qëllim. Gjykata Themelore e Kumanovës është gjykata e dytë më e madhe në nivel shteti pas Gjykatës Penale në Shkup.