Pas masave të Qeverisë për zbutje të krizës ekonomike dhe përballje më të lehtë me çmimet “shokuese”, reagoi opozitarja VMRO-DPMNE. Trajko Sllaveski thotë se Qeveria nuk morri parasysh propozimet e tyre për ulje të akcizës së derivateve, ndërsa me modelin e Qeverisë nuk sigurohet se xhepi i qytetarëve nuk do të dobësohet.
“Në vend që ta pranojnë propozimin për uljen e akcizës tek derivatet e naftës ashtu siç propozon VMRO-DPMNE me të cilën çmimin i benzinës nga nesër do të ulej për 13 denarë, ndërsa i dizelit për 9 denarë, kryeministri Kovaçеvski sot propozoi model të komplikuar për ulje të akcizës të cilin as nuk e kuptuan qytetarët dhe as nuk garanton se do të ndikojë në uljen e çmimit për shitje me pakicë të derivateve.”
Edhe për Lëvizjen Besa, kjo qeveri nuk ka as dije dhe as ide për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
“Ditë e më parë kjo qeveri duhet të largohet dhe të hapë rrugë për zgjedhje të reja parlamentare të cilat do sjellin një shumicë të re të përgjegjshme dhe të përgatitur për t’u ballafaquar me sfidat e vështira që e presin shtetin në periudhën e ardhshme, disa nga këto sfida të ndikuara edhe nga situatat gjeo-politike në Evropë”, tha Abdush Demiri, Lëvizja Besa.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Qeveria manipulon sepse nuk i kemi çmimet më të lira të derivateve, por pagën më të dobët mesatare.
“Për ta pasur më të qartë vlerën e çmimit të derivateve dhe pagës mesatare kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut me një pagë mesatare neto mund të blihen 342 litra dizel, ndërsa në Bullgari 456 litra, në Serbi 409 litra, në Greqi 655 litra dhe në Kroaci 656 litra dizel”.
Nga ASH thonë se pohimet e Qeverisë për situatën ekonomike nuk përkojnë aspak me realitetin që përjetojnë qytetarët.
