Ish-drejtorët e Klinikës për Onkologji, Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, nuk vepruan në interes të pacientëve, por për interes personal dhe të kompanive private, deklaroi prokurorja Ana Gogovska Jakimovska në fillim të gjyqit për rastin “Onkologjia 2”, përcjell TV21. Sipas prokurorisë, ata përmes furnizimeve të paligjshme të barnave dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare e kanë dëmtuar buxhetin për mbi 2,2 miliardë denarë, pra pothuajse 36 milionë euro.
Prokuroria pretendon se Vasev dhe Nuhi e manipulonin sistemin e furnizimeve, duke paraqitur nevoja të rreme për barna dhe me këtë kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm për kompani farmaceutike. Për më tepër, Vasev akuzohet edhe për përvetësim, pasi një pjesë të terapisë, në vend që të shkonte te pacientët, e përvetësonte për vete. Kundër Vasevit po zhvillohet edhe një tjetër rast, “Onkologjia 1”, për mjekim të pakujdesshëm të pacientëve.