Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar të zbatohet hetim i pavarur për shpërthimin që ka ndodhur në Bejrut dhe tha se “duhet të dëgjohen thirrjet e viktimave që të nxirren përgjegjësit para drejtësisë”.
Zëdhënësi i Komisarit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Rupert Kolvil tha se ka nevojë që bashkësia ndërkombëtare ta përforcojë ndihmën për Libanin me reagim të shpejtë dhe angazhim të vazhdueshëm.
Ai shtoi se Libani po ballafaqohet me tragjedi të trefishtë – krizë socio-ekonomike, Kovid-19 dhe shpërthimin e amoniak nitratit, që të martën e goditi kryeqytetin e këtij vendi.
Kolvill, gjithashtu bëri thirrje të respektohen të varfrit dhe të pambrojturit gjatë rindërtimit të Bejrutit dhe Libanit, dhe u bëri thirrje udhëheqësve libanezë që të kapërcejnë ngërçin politik dhe t’u përgjigjen nevojave të njerëzve.
Numri i të vdekurve nga shpërthim në portin e Bejrutit është rritur në 154, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve NNA, duke iu referuar ministrit libanez të Shëndetësisë Hamad Hasan.
Gjatë shpërthimit janë lënduar rreth 5.000 njerëz.