Ohri e ruajti statusin e trashëgimisë botërore kulturore! Maqedonia dhe Shqipëria deri në 2030-tën duhet të plotësojnë rekomandimet e UNESCO-s

TË FUNDIT

Është shtyrë futja e rajonit të Ohrit në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Ky është vendimi i Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESCO-s, i cili u mbajt në qytetin jugkorean Busan, me çka Maqedonia dhe Shqipëria morën edhe 5 vite shtesë për zbatimin e rekomandimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

“Rajoni i Ohrit në këtë fazë nuk do të vendoset në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik dhe do ta ruajë statusin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore të UNESCO-s. Vendimi i sotëm është një hap i rëndësishëm përpara, por jo fundi i procesit. Së bashku me Shqipërinë duhet të përgatisim një kornizë kohore për zbatimin e planit strategjik deri në vitin 2030. Deri më 1 shkurt 2027 duhet të dorëzohet një raport i ri për përparimin e arritur”, tha Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme.

Në lidhje me ndërtesat pa leje në Ohër, ku gjithsej janë 4.847 objekte ilegale, hotele dhe ndërtesa, Mucunski tha se ato duhet të rrënohen sipas ligjit. Nga ana e ekipit ekspert të UNESCO-s janë dhënë përfundime, përkatësisht është përcaktuar qartë një kornizë që përfshin disa çështje, si planifikimi urbanistik, mbrojtja e mjedisit jetësor, ndërsa në bisedime është diskutuar edhe për trasenë e Korridorit 8 te pika kufitare Qafë Thanë.

“Një pjesë e këtyre vendimeve janë komplekse. Për disa çështje kemi biseduar drejtpërdrejt edhe me vendet anëtare që janë pjesë e Komitetit dhe tek ata ekziston mirëkuptim se statusi i UNESCO-s njëkohësisht nuk duhet të dëmtojë zhvillimin e Ohrit dhe rajonit të Ohrit. Këtu kemi folur edhe për çështje që lidhen me projekte kyçe infrastrukturore, ku një pjesë e Korridorit 8 kalon në ato zona”, theksoi Timço Mucunski – ministër i Punëve të Jashtme.

Me reagim doli edhe LSDM-ja, e cila thotë se problemet janë të njëjta prej dekadash, siç janë ndërtimet pa leje, ndotja, shkatërrimi i bregut të liqenit dhe obligime të tjera të papërmbushura. Sipas tyre, as brenda afatit të dhënë nuk do të bëhet asgjë për mbrojtjen e rajonit të Ohrit.

“Duke i njohur ata, pas pesë vitesh përsëri do të jetë fajtor dikush tjetër. Dikush nga para 35 vitesh. Të gjithë janë fajtorë, përveç Mickoskit dhe koalicionit të tenderëve që e përbën këtë pushtet. Ata sot e kanë të gjithë fuqinë dhe mbajnë gjithë përgjegjësinë, si në nivel lokal ashtu edhe në atë shtetëror. Nëse gjatë këtyre pesë viteve nuk bëhet ajo që duhet, do të jetë vonë”, u shprehën nga LSDM.

Rajoni i Ohrit, i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s, prej disa vitesh përballet me paralajmërime për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Problemet kryesore, për të cilat kanë paralajmëruar edhe organizatat ekologjike, janë urbanizimi, ndërtimet pa leje dhe mbrojtja e liqenit nga mbeturinat dhe ujërat e zeza.