“Jeni të bllokuar derisa nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, sado keq që të tingëllojë kjo gjë është e qartë”, deklaroi mbrëmë në “Click Plus”, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin. Është i vetëdijshëm se disave nuk ju pëlqen marrëveshja por tani është shansi, siç e historik, e që duhet shfrytëzuar, duke uruar politikanët e vendit të gjejnë një rrugë të përbashkët rreth ndryshimeve kushtetuese.
“Uroj që politikanët në Maqedoni të gjejnë një rrugë të përbashkët për ta përmbushur këtë detyrë të vështirë. Ndryshimet kushtetuese nuk janë shumë të mëdha në përmbajtje, por shkaktojnë emocione dhe hezitime të mëdha te njerëzit. E di që vendimet e mëdha evropiane shpeshherë kundërshtohen nga njerëzit, por nuk është e qartë pse ky vendim është kaq i vështirë. Është një hap i vogël. Uroj që vendi të gjejë një rrugë të përbashkët. Gjermania e dëshiron këtë dhe do t’ju ndihmojë vërtet”, tha Manuel Sarazin, emisar special i Gjermanisë.
Në të njëjtën vijë është edhe Mihael Rot, deputet në Bundestagun gjerman. Ai këto ditë është për vizitë në Maqedoni, ku u bëri thirrje deputetëve që të gjejnë forcë për të votuar ndryshimet kushtetuese.
“Do të doja të inkurajoja kolegët e mijë të nderuar këtu në Kuvend, në Qeveri që të bëjnë më të mirën e tyre që të kthejnë Maqedoninë në binarë dhe kjo do të thotë se ndryshimet kushtetuese ndoshta mund të jenë të dhimbshme për disa kolegë, por në fund të ditës ato janë të nevojshme. Na duhet më shumë ambicie për negociatat aderuese”, tha Mihael Rot, kryetar i Kom.për politikë të Jashtme.
Ata që nuk duan t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese janë deputetët e VMROD-PMNE-së, edhe përkundër mesazheve nga përfaqësuesit gjermanë dhe jo vetëm. Me sa duket porositë e aleatëve nuk kanë efekt mbi opozitarët. Deputetja Dafina Stojanovska thotë se në çdo takim me ndërkombëtarët, e kanë përcjellë të njëjtin qëndrim se nuk do t’i mbështesin ndryshimet nën diktatin bullgar.
“Kjo është një ofensivë siç e thatë edhe vetë, siç kanë ndodhur edhe shumë të tilla deri tash dhe në të gjitha takimet që ne kemi marrë pjesë, gjithmonë është thënë qëndrimi jonë se nuk do të votojmë ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar. Gjithkujt që ka ardhur në ofensivë dhe të bëjë të themi kushtimisht presion mbi grupin tonë parlamentare iu është thënë kjo gjë qartë”, tha Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-DPMNE-se.
Stojanovska theksoi se informacionet se janë siguruar disa deputetë nga opozitarja për të votuar ndryshimet, janë vetëm spekulime dhe blerje e kohës. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski ka deklaruar se tërhiqet nga politika nëse deputet i partisë së tij jep mbështetje për këto ndryshime që parashohin futjen e bullgarëve në Kushtetutë.