Oda e mjekëve në pritje të 8 dosjeve, Grivçeva: Komisioni i posaçëm do të “krehë” çdo dyshim

TË FUNDIT

Oda e mjekëve është në pritje të dokumenteve nga Ministria e Shëndetësisë për ngritjen e komisionit të posaçëm për mbikëqyrje të 8 dosjeve të dyshimta për keqpërdorime në Klinikën e Kardiologjisë. Kryetarja e Odës së Mjekëve, Kalina Grivçeva-Stardelova tha se komisioni mbikëqyrës duhet të ketë së paku tre anëtarë dhe një juristë nga Oda e mjekëve, por nëse është ndonjë rast i ndërlikuar, sipas saj, duhet të ketë më shumë se tre anëtarë. Grivçeva thotë se Ministria akoma nuk ka dorëzuar asnjë dosje.

“Kemi paralajmërim se do të vëzhgohen 8 raste me mbikëqyrje të jashtëzakonshme. Sipas rendit mbikëqyrja bëhet kur dosjet arrijnë por akoma nuk kemi dokumente në Odë. Pas arritjes së tyre kemi komision të posaçëm që vlerëson nga cila sferë duhet të thirren njerëz për t’u proceduar ajo mbikëqyrje në mënyrë që të jetë më cilësore dhe formohet komision që e bën atë mbikëqyrje profesionale që do të thotë se komisioni fillestar e ka për detyrë vetëm të mbledh njerëzit”, tha Kalina Griçeva – Stardelova – kryetare e Odës së mjekëve.

Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dje informoi se tetë raste janë paraqitur në Komisionin e brendshëm, të formuar pas informacionit në lidhje me parregullsi të mundshme që lidhen me disa ndërhyrje kardiokirurgjikale, dhe se nga Oda e Mjekëve është kërkuar mbikëqyrje.

“Dua t’ju informoj se dosjet mjekësore për tetë raste janë dorëzuar në Komisionin e Brendshëm. Komisioni do t’i përpunojë të gjitha në detaje, me qëllim përcaktimin e së vërtetës bazuar në faktet mjekësore. Komisioni do të mblidhet nesër dhe këto dosje do të jenë rastet e para mbi të cilat do të veprojë. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme nga ekspertët e Odës së Mjekëve”, deklaroi minsitri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Sipas rregullores Oda mund të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në institucione me kërkesë të Ministrit të Shëndetësisë, Inspektoratit sanitar-shëndetësor, me një urdhër gjykate, me kërkesë të anëtarëve të familjes ose të një pacienti. Në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Kliniken e kardiokirurgjisë, denoncimet janë bërë nga vet spitali te Ministria e Shëndetësisë.