OBSH: Pandemia do të përfundojë në fillim të vitit 2022

TË FUNDIT

Drejtori rajonal i Organizatës botërore të shëndetësisë (OBSH) për Evropë, Hans Kluge, deklaroi se beson se pandemia e koronavirusit do të përfundojë në fillim të vitit 2022.

Kluge për televizionin shtetëror danez “DR” deklaroi se përhapja e Kovid-19, megjithatë, do të dominojë në shoqëri edhe në vitin 2021, por do të jetë shumë më e kontrolluar se në vitin 2020.
Duke potencuar se skenaret më të këqija tanimë kanë përfunduar, ai tha se tani ka më shumë informata për virusin sesa në vitin 2020, kur për herë të parë filloi të përhapet.

Ai, megjithatë, paralajmëroi se askush nuk mund të jetë i sigurtë për të ardhmen e pandemisë.
“Virusi do të vazhdojë të ekzistojë, por mendoj se nuk do të nevojiten kufizime. Kjo është porosia optimiste”, tha Kluge.

Eksperti i OBSH-së shtoi se paraqitja e varianteve të virusit është normale dhe se virusi po tenton të adaptohet, por përhapja e shpejtë e mutacioneve mbetet dukuri brengosëse për OBSH-në.

Kluge tha se mutacionet nuk do ta vendosin virusin jashtë kontrollit, por theksoi se vendet, sistemet e të cilave shëndetësore tanimë kanë qenë nën presion, mund të gjenden nën presion edhe më të madh, duke i detyruar shumë serozisht t’i kuptojnë variantet e reja të virusit.