Shkencëtarja kryesore e OBSH-së, dr. Soumija Svaminanatan sot ka shprehur brengosje që rritja aktuale e infeksioneve me Kovid-19 në nivel global së shpejti do të ndiqet edhe me rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve të vdekjes, që tani është rreth 5.000 në ditë.
Mediumet britanike transmetojnë se numri i të sapoinfektuarve në mënyrë drastike po rritet, e tani Britania e Madhe dhe Italia raportojnë se kanë pothuaj nga 20.000 raste të reja në ditë, ndërsa vendet tjera paraqesin numër rekord me raste të reja. Deri tani mbarë botën janë regjistruar mbi 38 milionë raste të koronavirusit, e pothuaj 1,1 milionë nejrëz kanë vdekur nga Kovid-19.
“Rritja e rasteve të vdekjes është çdoherë disa javë pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit”, tha dr. Svaminanatan në konferencë për shtyp, dhe shtoi se ende po vdesin nga 5.000 njerëz në ditë dhe për këtë shkak nuk duhet të jemi të kënaqur që është ulur numri i rasteve të vdekjes.
