OBSH dhe UNICEF përmes një doracaku rekomandojnë maska për fëmijët mbi 11 vjeç

TË FUNDIT

Fëmijët, duke filluar që 12 vjeç duhet të mbajnë maska për fytyrë kudo që i mbajnë edhe të rriturit si një prej masave kundër Kovid-19, kumtuan agjencitë shëndetësore dhe për fëmijë të KB-së në një doracak për sjellësit e vendimeve, njofton DPA.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Fondi për fëmijë i KB-së (UNICEF) në përgjithësi nuk rekomandojnë maska për fëmijë të moshës prej gjashtë deri në 11 vjeç, por ato duhet të merren parasysh në rajonet me bartjen intensive të viruseve ose në institucione të veçanta, siç janë shkollat, transmeton agjencia gjermane.

Sidoqoftë, ekzistojnë situata kur maskat “munden dukshëm të ndikojnë mbi procesin e mësimit dhe të kenë ndikim negativ mbi aktivitetet shkollore”, kumtuan ekspertët ndërkombëtarë të cilët e përgatitën udhëzuesin.

Fëmijët më të vegjël nuk duhet të mbajnë maska, kryesisht pasi nuk munden vetë t’i vendosin dhe t’i heqin siç duhet, thuhet në dokumentin i cili u publikua dje.

Grupi i ekspertëve kumtoi se fëmijët deri në moshën gjashtëvjeçare do të duhet të jenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nëse mbajnë maska.

“Fëmijët, gjithashtu, duhet të dëgjohen lidhur me perceptimet e tyre dhe për çfarëdo brengosje për mbajtjen e maskës”, theksojnë ekspertë.

Sipas të dhënave të fundit nga e mbarë bota, vetëm rreth një deri në shtatë për qind prej të gjitha rasteve të Kovid-19 janë fëmijë dhe të rinj nën 18 vjeç, e transmeton DPA dokumentin e OBSH-së dhe UNICEF-it për mbajtjen e maskave tek fëmijët.