O’Brajan: Liderët e Kosovës dhe Serbisë bënë progres të vërtetë në negociatat

TË FUNDIT

Këshilltari Kombëtar për Siguri në SHBA, Robert O’Brajan, ka folur pas përfundimit të takimit mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpi të Bardhë. Ai thotë se nesër pritet të vazhdojnë takimet, derisa ka treguar se përfaqësues të bankave të mëdha kreditore, korporatave amerikane dhe Fondit të Mileniumit të Ri kanë qenë në takim.

“Diskutime të mira këtë pasdite me liderët e Serbisë dhe të Kosovës. Ata kanë përparim të ndjeshëm sot. Një falënderim për Korporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së, Fondacionin e Mijëvjeçarit të Ri dhe Bankën Exim që iu bashkuan takimit. Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, tha ai.

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brajan, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Riçard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.