Nxënësit nesër rikthehen në shkolla! SAShK ndërpret përkohësisht grevën

TË FUNDIT

Nxënësit nesër kthehen në shkollë. Greva ndërpritet përkohësisht, ndërsa nga nesër të gjithë mësimdhënësit duhet të kthehen në vendet e tyre të punës. Kështu informoi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Jakim Nedellkov, pas njoftimit që ka marrë në orët e paradites nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për zgjidhje paqësore të kontesteve të punës.

“Konstatuam mes tjerash se Këshilli i SAShK-ut dhe SAShK janë ligjor dhe janë për respektimin e ligjeve. Për këtë arsye një pjesë e dispozitave çojnë në atë se deri sa zgjat periudha paqësore e zgjidhjes së kontesteve të punës, greva duhet të pezullohet”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

Në bazë të Ligjit për zgjidhje të qetë të çështjeve të punës, neni 19, paragafi 2, greva do të ndërpritet për 10 ditë, ndërsa gjatë kësaj kohe do të zhvillohen bisedimet mes Qeverise dhe SAShK. Nëse edhe brenda këtyre 10 ditëve nuk gjendet zgjidhje do të shtohen plus 10 ditë tjera. Nedellkov tha se nëse brenda kësaj periudhe nuk gjendet zgjidhje, greva do të riaktivizohet përsëri.

 “Deri sa nuk pajtohemi me qëndrimet tona me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dëshiroj t’i siguroj edhe opinionin publik edhe anëtarët tanë se greva përsëri do të aktivizohet. Shpresoj se nuk vjen puna deri aty dhe shpresoj qe me Qeverinë, ministrinë e Arsimit, Punës dhe Politikës Sociale do të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet kontestuese”, pohoi Jakim Nedellkov, kryetar i SAShK-ut.

SAShK anulon edhe protestën e paralajmëruar për të mërkurën para Qeverisë, ndërsa kreu i SAShK, Nedellkov shfaqi shpresë se pagat do të rriten, mëditjet gjatë kohës së grevës nuk do të shkurtohen dhe se marrëveshjet kolektive do të nënshkruhen dhe përcaktohen me afate. Greva në arsim filloi më 11 prill, ndërsa oferta e fundit e Qeverisë ofruar SAShK-ut ishte rritje të pagës për 12%.