Në vend se të jenë në orë të mësimit, disa nxënës të Vizbegut edhe ditën e dytë të vitit shkollor e pritën duke luajtur në rrugë.
Disa për shkak se nuk kanë aparaturë teknologjike për të ndjekur mësimin online, disa të tjerë për shkak se nuk kanë se me çfarë të udhëtojnë deri te shkolla “7 Marsi” ku duhet të ndjekin mësimin me prani fizike.
“Jam klasa e katërt… Dua të hy në shkollë, se s’kemi kompjuterë edhe në telefon s’po hapen hapen, se s’kemi internet të mirë, prandaj dua të hy në shkollë”, tha ky nxënës i klasës së tretë.
“Mësimin e ndjek online… Dje a ke filluar me vitin shkollor? Jo, ende. Sot? Jo, as sot. A ka ardhur mësuesja për t’ua sjellë materialet në shtëpi apo a keni mësuar nga televizioni? Jo, jo asgjë s’kemi bërë”, tha kjo nxënëse e klasës së gjashtë.
Vetëm këto nxënës kanë vijuar mësimin, për shkak se prindërit e tyre kanë mundur t’i dërgojnë me vetura personale i kanë dërguar në shkollë.
“Ju cila klasën jeni? E dyta. A keni qenë sot në shkollë? Po… Me çfarë keni shkuar? Me vetura”.
Këto nxënës mësimin e ndjekin ose në shkollën “26 Korriku” në Shuto Orizare ose në shkollën “7 Marsi”, për shkak se edhe pas 15 vitesh premtime, ende nuk kanë shkollë.
Banorët të revoltuar. Thonë se fëmijët nuk kanë mësuar as kur ka qenë pandemia.
“Nuk jemi duke e ditur se a do të bëhet ndonjëherë mirë në këtë Vizbeg. Janë 1200 shtëpi. Nxënësit për të udhëtuar nga Momin Potoki deri në Shutkë apo te “Adem Jashari” nga 5 kilometra duhet të udhëtojnë. Nxënësit te “Adem Jashari” dimrit më shumë pa shkollë janë. Akull, ftohtë, autobusi nuk vjen është prishur. Unë nuk e di si mund të ekzistojë ky shtet kur nuk kujdeset për familjet. Kur është puna për vota, të gjithë turren”, reagoi një banor.
“U munduan të bëjnë diçka, por e pamë se kishte qenë krejt marketing politik”, reagon një tjetër.
E pyetëm kryetarin e Butelit, Velimir Smilevski se pse s’është siguruar transport për këta nxënës? Nuk ishte i njoftuar për problemin dhe pyeste se banorët a jetojnë në territorin e komunës që e udhëheq ai apo të Shuto Orizares.
“A janë fëmijët banorë të Vizbegut apo të Shuto Orizares? Jetojnë në vendin ku duhet të ndërtohet shkolla, do të thotë jetojnë në territorin e Butelit. Ku janë paraqitur ata se s’kanë transport të organizuar? Ne informacion të tillë nuk kemi! Lirisht, ja ju ftoj në Komunë të shohim se a jetojnë te ne. Nëse jetojnë te ju, a do të organizoni ju transport? Po, sigurisht!”, u përgjigj Smilevski në pyetjen e TV21.
Banorët të revoltuar u përgjigjën: kryetari e di shumë mirë ku jetojmë!
“Ne me adresë jemi në komunën e Butelit. Kryetari e di ku është dalja. Kryetari e di punën e shkollës”, iu përgjigj banori.
Nga shkolla “7 Marsi” njoftuan, se pa transport janë rreth 20 nxënës nga klasa e parë deri në të tretën dhe të cilët mësimin duhet ta ndjekin me prani fizike. Sigurojnë se edhe zyrtarisht do të njoftojnë Smilevskin për këtë numër që t’i organizohet transport fëmijëve.
Ndërsa shkolla e Vizbegut do të presë rebalancin e buxhetit.
“Pres që vitin tjetër dashtë Zoti deri në shkurt-mars me fillim të sezonit të ndërtimit do të fillojmë me shkollën. Pasi nuk ka arsye të prolongohet”, premtoi Smilevski.