Nxënësit e Vizbegut ende nuk po i gëzohen shkollës/ Filloi gjysmëvjetori i dytë, shkolla e re nuk po lëshohet në përdorim

TË FUNDIT

Edhe në këtë gjysmëvjetor të dytë, shkolla e re në Vizbeg të Butelit nuk filloi me punë.
“Shkolla fillore e Vizbegut u premtua që do të nisë të funksionojë prej këtij gjysëmvjetori, por siç po e shihni dera është e mbyllur”.

Lajmin se kjo shkollë do të hapet shumë shpejt e kishte kumtuar vet ministri i arsimit Jeton Shaqiri, por shtoi se gjithçka varet nga komuna.

“Lajmi i mirë është se objekti i plotëson të gjitha kushtet e pranimit teknik dhe obligimi më tutje për hapjen e shkollës së Vizbegut është tek komuna, por më gëzon fakti se komuna do të emërojë drejtor, do t’i dorëzojë kërkesat dhe është vetëm çështje ditësh deri në aprovimin e mendimit pozitiv nga ana e ministrisë së financave që do të duhet të hapet shkolla.”- deklaroi Jeton Shaqiri Ministër i Arsimit dhe Shkencës

Por kryetari i komunës së Butelit në linjë telefonike për TV21 tha se ende nuk është bërë pranimi teknik nga MASH dhe sapo të bëhet e njëjta, ai do të emërojë drejtor dhe shkolla do të nisë me punë. Derisa institucionet të merren vesh mes vete nxënësit e kësaj lagje do të ecin me kilometra për të arritur në shkollat e komunave tjera.