Këto fëmijë po bëjnë obligimin e përditshëm. Mbushin ujë. Në fshatin e tyre jo të gjithë shtëpitë kanë ujë, e çezma është në mes të fshatit. Shkolla në fshat u mbyll e fëmijët kanë më shumë kohë për lojëra. Por për mësime, kanë mbetur aty ku e kanë lënë.
Këto nxënës nuk kanë as internet, as telefona dhe as tabletë për të ndjekur mësimin online.
Nxënëse: “Unë mësoj po nuk kam ku, nuk i kemi kushtet tani për të mësuar. Nuk kemi telefona laptopa asgjë s’kemi vetëm me shkuar në shkollë.
Një nxënës ka telefon por nuk ka internet.
Nxënës: “Nuk kanë ardhur arsimtarët tek shkolla, nuk kemi kushte.
TV21: A e din që në internet po japin mësime arsimtarët?
Nxënës: Po e di ama s’kemi internet nëpër shtëpi.
Nijazi Bajrami ka pesë fëmijë, katër i ka në shkollën fillore por tani të gjithë i ka në shtëpi dhe kanë ngelur pa mësime.
Ai nuk po gjen formë për t’u ndihmuar fëmijëve për të vazhduar mësimin online sikur moshatarët e tyre.
Nijazi Bajrami Prind: “Mundohen në Tv të shohin nuk ka loptop nuk kanë, telefona nuk kanë, me një telefon me këtë telefon nuk mund të mësojnë ato. Nuk ka internet ja kshyre, ju thonë se do i sjellin por ende nuk asgjë. Fëmijët kanë dëshirë të mësojnë notat i kanë pasur krejt me pesa”.
Ministri i Arsimit Arbër Ademi, pat deklaruar se nuk ka asnjë shkollë në territorin e vendit që nuk ka filluar të zbatojë mësimin online.
“Sot nuk ka shkolla në territorin e vendit tonë që nuk ka filluar të zbatojë ndonjë formë të mësimit në distancë.Të gjithë janë pjesë e kësaj forme të re të edukimit. Mësimdhënësit janë të angazhuar dhe përkushtuar maksimalisht edhe në këto momente të vështira kur rolet kanë ndryshuar ata kanë arritur nga shëpia të mbajnë komunikim me nxënësit e tyre edhe atë në bazë ditore”, tha Arber Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
E këto nxënës janë larg asaj që flet ministri.
Nxënësit janë nga fshati Rahoviç i Komunës së Sarajit.
Ky fshat është 23.6 km nga qendra e Shkupit.
Fshati dikur kishte më shumë banorë, por tani kanë ngelur vetëm tetë shtëpi me oxhak.
Është fshat malor, prandaj banorët po largohen.
Edhe këta banorë që takuam, nuk e kanë në plan të rrinë edhe gjatë këtu.
