Nxënësit do të protestojnë, Hodai: Nëse mësimi vazhdon online, ne do të jemi offline

TË FUNDIT

Nxënësit e shkollave të mesme të premten do të protestojnë kundër mësimit online. Vendimi u morë njëzëri sot në mbledhjen e Kuvendit Qendror të Unionit të nxënësve, ndërsa në marshin protestues do të marrin pjesë nxënës të të gjithë qyteteve nga i gjithë vendi. Nga UNSHM thonë se nëse mësimi për shkollat e mesme do të mbetet online ata do ta bojkotojnë procesin arsimor.

“Në këtë mbledhje kemi vendosur me shumicë absolute, realisht 20 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim që të premten të protestojmë në Shkup, para ministrisë së Arsimit, një marsh që do të fillojë para ministrisë së Arsimit dhe do të përfundojë në godinën e Qeverisë në të cilën do t’i tregojmë qëndrimet dhe kërkesat tona se si duhet të fillojë mësimi në shtator”, theksoi Blendi Hodai, Kryetar i UNSHM.

Ora e protestës ende nuk dihet, por më kohë do të informojnë thonë nga Unioni i Nxënësve ndërsa shtojnë se do të mundohen që në marsh të kyçin edhe prindërit dhe mësimdhënësit që janë pro modelit për mësim të kombinuar.

“Do të mundohemi ditëve në vijim në planifikimin e protestës t‘i inkuadrojmë edhe stafin e mësimdhënësve që mbështesin mësimin e kombinuar apo hibrid dhe gjithashtu edhe prindërit që me të vërtetë mbështesin qasjen e Unionit të nxënësve”, deklaroi kryetari i UNSHM-së, Blendi Hodai.

Hodai thotë se këmbëngulja për mësim të kombinuar është për shkak të mos efikasitetit dhe efektivitetit të mësimit online, jo standardizim të notimit të nxënësve, ku disa shkolla para mësimit online para korona virusit mesataren e kanë pasur 2.4, ndërsa në fundvit ka përfunduar me 4.7.