Nxehet atmosfera për zgjedhje të parakohshme! Mickoski e fton opozitën, Filipçe nuk do t’i bëhet alibi, BDI-ja pranon

TË FUNDIT

A dëshiron kryeministri Hristijan Mickoski zgjedhje të parakohshme, pasi në deklaratat e tij i përmend vazhdimisht ato? Edhe sot përsëriti se pushteti është i gatshëm për zgjedhje nëse këtë e dëshiron opozita, edhe pse, siç tha, qytetarët nuk e duan këtë.

 “Ne si koalicion kemi marrë legjitimitetin nga qytetarët që të jemi Qeveri për katër vjet, por ajo që thashë dje do ta konfirmoj – nëse opozita mendon se janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme, sigurisht që ne, si frikacakë, nuk do të rrimë anash, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe, sigurisht, do t’i fitojmë”, tha Mickoski.

Por kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se nuk do t’i bëhet alibi për zgjedhjet, pasi ai ka pushtet absolut, prandaj mund t’i shpallë vetë zgjedhjet e parakohshme. Megjithatë, Filip[e tha se janë të gatshëm për zgjedhje.

 “Me siguri kryeministri do të kërkojë disa lojtarë të tij proxy, ne nuk do t’i bëhemi alibi për zgjedhje. Thashë, zgjedhjet do t’i caktojë kryeministri, i cili ka shumicë prej dy të tretash, pushtet absolut në çdo nivel. Ne nuk do t’i bëhemi alibi. Zgjedhje do të ketë kur t’u mbarojnë paratë për tenderë korruptiv. Kjo i intereson, asgjë tjetër. Ne, sigurisht, jemi të gatshëm, përgatitemi çdo ditë. Nëse më pyesni nëse jemi të gatshëm – po, por alibi nuk japim. Jemi të gatshëm me ekip, të gatshëm me program të mirë, të gatshëm me diçka që do ta prezantojmë gjatë muajit të ardhshëm, dhe quhet Master Plani për Maqedoninë”, u shpreh Filipçe.

Por nga BDI-ja e pranojnë me të dyja duart ofertën për zgjedhje të parakohshme. Thonë se pikërisht këtë e kërkojnë, pasi kjo qeveri, siç theksuan, është e paqëndrueshme.

“E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, thonë nga BDI.

Për zgjedhje të parakohshme me qëndrim dolën edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Partia e Arben Taravarit është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përgjigjja jonë është e qartë – Po, jemi të gatshëm. Nuk ka nevojë për taktizime, shtyrje apo kalkulime politike, thonë nga ASH.