Tetova me 12 dhe Velesi me 6 raste pozitive me Kovid-19 janë epiqendrat e reja në Maqedoni me koronavirus sipas të dhënave të fundit që i kumtoi Ministria e shëndetësisë. Këta numra i alarmuan autoritetet shëndetësore në Tetovë dhe mbajtën takim urgjent.
“68.7% kemi të shëruar nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, që është numër optimist, ndërsa ajo që është indikativë, në Tetovë kemi 11 raste pozitive dhe 4 teste janë përsëritur dhe ata janë pozitiv, fillimisht kanë qenë pozitiv gjithashtu. E gjithë kjo që do të ndiqet edhe në ditët në vazhdim që të kemi një statistikë në lidhje me atë që po ndodh konkretisht”, deklaroi Armend Arsllani – zv.ministër i Shëndetësisë.
Zv.kryeministri, Bujar Osmani, i cili është koordinator kryesor i shtabeve të krizës së njësive të vetëqeverisjes lokale, theksoi se më e keqja nuk ka kaluar.
“Apel deri te qytetarët që të respektojnë masat për shkak se në situatë kur pandemia dobësohet në nivel të shtetit, mund të na krijoj vetëbesim të rrejshëm se e kemi tejkaluar gjendjen dhe të relaksohemi para kohe dhe në vend që për një kohë të shkurtër ta tejkalojmë këtë situatë, përsëri të na kthehet virusi”, deklaroi Osmani.
Në 24 orët e fundit janë bërë 411 teste prej të cilëve 36 persona janë pozitiv. Bilanci shënon dhe 13 të shëruar dhe 1 viktimë. Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarëve në vendin tonë nga fillimi i epidemisë është 1622, numri i pacientëve të shëruar 1112, viktima 92, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive është 419.