Nga gjithsej 755.702 votues që kanë dalë në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pothuajse 33 mijë nga fletëvotimet janë të pavlefshme, ose 4.34%, që është për 8 herë më shumë nga disavantazhi mes të dy kandidatëve. Ky është numër rekord i fletëvotimeve të pavlefshme, duke pasur parasysh daljen e qytetarëve. A e kuptojnë këtë politikanët si mesazh dhe si e interpretojnë? Kryeministri pranon se fletëvotimet e pavlefshme janë rezultat i pakënaqësisë së qytetarëve, por i gabimeve gjatë votimit.
“Ndaj fletëvotimeve të pavlefshme unë shoh si akt i pakënaqësisë dhe pjesërisht gabim gjatë votimit. Për shembull ka pasur raste ku Stevçe Stevoski në Ohër është numër 3, ndërsa edhe Stevo Pendarovski është numër 3. Kemi shumë fletëvotime ku është rrethuar Stevço Stevoski, kurse pastaj edhe Konstantin Georgievski”, deklaroi Kryeministri, Zoran Zaev.
Sipas VMRO-DPMNE-së, mungon edukimi i trupit votues. Nga kjo parti shtojnë se kjo dukuri është paraqitur për shkak të trysnisë së pushtetit ndaj administratës për të dalë në votim.
“Trysnia që është regjistruar nga ana e pushtetit, edhe në pushtetin qendror, edhe në atë lokal, që administrata të dalë të votojë. Edhe ata që e kanë humbur besimin tek pushteti, ishin të detyruar të paraqitet në vendvotimet e tyre”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
Xhabir Deralla nga “Civil” thotë, politikanët duhet të mendohen pak për numrin rekord të fletëvotimeve të pavlefshme. Më e rëndësishmja është vota, e jo politikanët. Nuk mund të trajtohen si thes me mish dhe kocka. Ata janë të vetëdijshëm për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, por edhe për të dërguar mesazhe të caktuara, shton Deralla.
“Atë që e regjistruam në terren, mbikëqyrësit tanë që e vëzhguan edhe numërimin, na thanë se ka numër të madh mesazhesh që ishin shkruar në fletëvotimet dhe është evidente se ato janë bërë të pavlefshme qëllimisht, e jo gabimisht. Ato janë porosi për të cilat politikanët duhet të mendohen. Kishte porosi të pakëndshme, me vizatime të cilat nuk janë për t’i komentuar në një televizion serioze”, pohoi Xhabir Deralla, OJQ “CIVIL”.
Ndryshe, në referendumin kishte mbi 19 mijë fletëvotime të pavlefshme, kurse në zgjedhjet lokale që u mbajtën në vitin 2017, më shumë se 45 mijë. Por, të dhënat flasin se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ka pasur më së shumti fletëvotime të pavlefshme.
PËRGATITI: ALEKSANDRA VELINOVA
