Ministria armene e Mbrojtjes kumtoi se forcat e Azerbajxhanit e granatuan Stepanakertin, kryeqytetin e Republikës së vetëshpallur Nagorno Karabah, ndërsa në Fejsbuk kumtoi video nga pasojat e atij granatimi.
Në video shihen kratere pas shpërthimit të granatave, rrënoja të ndërtesave, automjete të ngujuar nën rrënoja.
Paraprakisht u kumtua se gra dhe fëmijë po e braktisin qytetin Stepanakert për shkak të granatimit. Pothuajse të gjithë banorët i braktisën qytetet në Karabah, të cilët janë në linjë të kontaktit me forcat e armatosura të Azerbajxhanit.
Nga Azerbajxhani, arrijnë informata tjera për konfliktin në rrjedhë rreth Nagorno Karabahut. Raketat fluturojnë nga qyteti Stepanakert drejt qyteteve të Azerbajxhanit, Baku i kundërpërgjigjet sulmeve, pohoi sot Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, duke sqaruar se është kryer sulm raketor nga territori i Stepanakertit ndaj qyteteve të Azerbajxhanit Terter dhe Horadiz, të cilat kufizohen me Nagorno Karabahun.
“Për momentin, forcat e armatosura armene nga territori i Hankendit (Stepanakert) gjuajnë raketa drejt qytetit Terter dhe qytetit Horadiz në rajonin Fuzuli”, thuhet në kumtesë.
Ministria thotë se armata e Azerbajxhanit “po ndërmerr masa adekuate”.
Persona zyrtarë nga Nagorno Karabah kumtuan se deri më tani janë vrarë mbi 150 ushtarë të tyre, autoritetet e Azerbajxhanit nuk dhanë hollësi për viktimat e tyre, por kumtuan se janë vrarë 19 civilë dhe 55 janë plagosur.
Vahram Pogosian, zëdhënës i presidentit të Nagorno Karabah, dje në Fejsbuk shkroi se të dhënat zbuluese tregojnë se rreth 3.000 azerbajxhanas humbën jetën gjatë luftimeve, por nuk dha hollësi.
