Nuk negociohet për statusin e KOM-it, reagojnë anëtarët e palës maqedonase të Komisionit të përzier historik. Prej atje shtojnë se anëtarët e komisionit punojnë mbi çështjen e përshkrimit të KOM-it në tekstet shkollore.
“Objekti i punës së Komisionit janë çështjet për prezantimin e historisë së Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore të historisë për arsimin fillor në dy shtetet, roli i saj dhe rëndësia e saj për krishterimin dhe letërsinë sllave, e jo çështjet teologjike ose caktimi i statusit të KOM-it, Kryepeshkopata e Ohrit, ose përcaktimi i saj në aspekt kombëtar.”- thanë nga pala maqedonase e Komisionit Historik.
Reagimi i këtillë vjen pasi bashkëkryetari i Komisionit historik i palës bullgare, Angell Dimitrov të premten tha se për prezantimin e KOM-it, Kryepeshkopata e Ohrit, nuk kanë arritur marrëveshje. Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmoi se nuk bëhet fjalë për përcaktimin e statusit dhe se deklarata e njëanshme e palës bullgare nuk është e vlefshme.
“Pala bullgare jep deklarata për vete. Vlen vetëm ajo për të cilën 14 anëtarët e komisionit historik do të arrijnë qëndrim konsensual. Çfarëdolloj deklaratash të tjera nuk kanë asnjë ndikim mbi rezultatin final të punës së komisionit historik për shkak se ky komision punon në mënyrë të pavarur dhe ky është qëllimi. Me historinë të merren historianët ndërsa me politikën, politikanët.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Këto ditë me reagim dolën edhe nga KOM-i prej ku thonë se çështjet e kishës nuk guxojnë të jenë temë e debatit të Komisionit të përzier për shkak se Kryepeshkopata e Ohrit ka histori të qartë për krijimin e saj. Bashkëkryetari bullgar Angellov, megjithatë të premten deklaroi se mbi këtë çështje do të vazhdojnë të bisedojnë në takimin e radhës që duhet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
