Albin Kurti është shprehur i vendosur për hapjen e Urës së Ibrit, në Mitrovicë të Kosovës, transmeton TV21.
Ai thotë se me këtë vendim, është duke e zbatuar marrëveshjen e vitit 2017, dhe shton se nëse nuk do ta bënte këtë, do ta shkelte të njëjtën.
Ai shtoi se Ura shërben për tejkalim të lumit Ibër, dhe është në dobi të të gjithë komuniteteve.
“Diskutimet në Bruksel janë zhvilluar në vitin 2014 – 2017 dhe ato diskutime kanë përfunduar jo vetëm me marrëveshje për hapjen e Urës, por njëkohësisht edhe me marrëveshje për plan të zbatimit – se si do të duhej të hapej ajo urë. Afati i fundit ka qenë 20 janari i vitit 2017. Nëse është bërë një marrëveshje dhe bëhet diskutim mbi atë marrëveshje, kjo është mënyrë indirekte e shkeljes së marrëveshjes. Ne nuk jemi të gatshëm të marrim pjesë në shkelje të marrëveshjes dhe liria e lëvizjes mbi urën Ibër, në lumin kryesor në Mitrovicë, nuk do të duhej të rinegociohej. Ura është tejkalim, tejkalim i lumit. Nuk mund të kemi tejkalim të urës, sepse shpesh herë ka pas sugjerime se mjaftojnë urat e tjera. Ne nuk mund t’i bëjmë urën, urës. Ura ia bën urën lumit Ibër për të mirën e qytetarëve dhe për këtë insistojmë ne”, tha Kurti për Zërin e Amerikës./TV21
