Nuk mbeti parti pa u përçarë!? Selmani: Përçarjet ndodhin në momente kur forcohet opozita

TË FUNDIT

Përçarja brenda Aleancës për Shqiptarët nuk është e para, por me siguri se nuk do të jetë as e fundit. Kështu turbulenca brendapartiake në të kaluarën kanë përjetuar edhe partitë tjera shqiptare. Përçarje dhe ndarje rrugësh në të kaluarën kishte në PDSH, pikërisht prej kur Ziadin Sela formoi Lëvizjen për Reforma PDSH, e më pas u krijua Aleanca për Shqiptarët. Lëvizja Besa u përça në dy pjesë, prej të cilës doli Alternativa. Më vonë, edhe Besa edhe Alternativa u përballën me përçarje dhe largime të tjera. Nga Besa u larguan Arjanit Hoxha ndërsa nga Alternativa Skender Rexhepi dhe Hysni Ismaili. Arjanit Hoxha bashkë me deputetin Bastri Bajrami formuan Partinë Demokratike Europiane ndërsa Skender Rexhepi Lëvizjen Populli. Nga përçarjet nuk ka shpëtuar as partia e cila për 20 vite po qëndron në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga aty u largua nënkryetari i partisë Izet Mexhiti, i cili hapi Lëvizjen Demokratike. Atij iu bashkëngjit edhe Merita Koxhaxhiku edhe Kastriot Rexhepi. Ky i fundit gjithashtu pati dalë nga Lëvizja Besa.


Sipas profesorit universitar dhe njohës i çështjeve politike, Bashkim Selmani, këto përçarje padyshim që ndodhin përshkak interesave personale dhe grupeve të caktuara të politikës. Sipas tij, përçarjet zakonisht ndodhin kur opozita përforcohet.


“Nëse meret për bazë se kush e bën politikën në Maqedoni, janë grupe të interesit që qëndrojnë mirë ekonomikisht dhe fatkeqësisht ato grupe të interesit ndonjëherë kalojnë edhe në individuale, interesat individuale. Vetëm se aty ku është interesi individual, vërehet dhe konstatohet. Mirëpo kjo kalon nga një fazë në fazë tjetër për arsye se nga momenti kur forcohet opozita shqiptare ndodhin këto përçarje dhe kjo është ajo që ne momentalisht nuk mund ta detektojmë.”- deklaroi Bashkim Selmani – Profesor universitar.

Sipas profesorit Selmani, këto përçarje mund të ndikojnë edhe tek gjeneratat e ardhshme.


“Ky është një mesazh jo adekuat për shqiptarët për arsye se me këto përçarje që po ndodhin, fatkeqësisht ne bartim përçarjet edhe tek gjeneratat e reja. Kështu nuk mundësohet të krijohet një klasë politike te partitë politike shqiptare. Shqiptarët është mirë të kenë pozitë dhe opozitë por të jenë nën ombrellën e interesit për funksionim të shtetit të së drejtës.”- shtoi Bashkim Selmani – Profesor universitar.

Përndryshe përçarje viteve të fundit ka patur edhe tek partitë politike maqedonase. Nga VMRO-DPMNE u patën larguar tetë deputetë të cilët patën votuar në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, ndërsa nga LSDM u largua Maksim Dimitrievski. I njejti së fundmi formoi lëvizjen “Znam”.