Para 17 ditëve u takuan kryeministri Dimitar Kovaçevski me kreun e Aleancën për Shqiptarët, Arben Taravari, ku u bisedua për zgjerimin e mundshëm të koalicionit qeverisës. E që atëherë palët thonë se më nuk kanë pasur ndonjë takim dhe se nuk kanë biseduar për ndarjen e resoreve.
“Fillimisht me z.Taravari nuk jemi parë pas takimit që kishim dhe pasi që të kemi takim, nëse mbahet, atëherë…unë i paralajmëroj çdo herë takimet e mia, e dini se edhe herën e fundit kur ishte Taravari te unë, dha deklaratë para dhe pas mbledhjes, të njëjtën e bëra edhe unë”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.
Herën e fundit nga Aleanca për Shqiptarët i thanë TV21 se janë në pritje të një oferte të cilën fillimisht do ta shqyrtojnë e më pas do të vendosin për hapat e mëtejmë. Njëjtë edhe nga opozitarja mohojnë të kenë zhvilluar bisedime shtesë me përfaqësues nga pushteti.
“Nuk ka pasur ndonjë takim as ftesë për takim eventual. Ashtu siç deklaroi edhe kryetari i partisë, z. Arben Taravari, të gjitha veprimet e ASH-së do të jenë transparente dhe për çdo aktivitet opinioni dhe mediat do të njoftohen paraprakisht”, thonë nga ASh.
Përndryshe Taravari para disa ditësh çështjen e nisjes së negociatave për inkuadrim në qeveri e quajti spekulim, bashkë me ministritë që përflitet se partia e tij do t’i përvetësoj nëse hy në pushtet. Në të njëjtën vijë edhe Alternativa, si pjesë e koalicionit qeverisës në vazhdimësi mohon informacionet se po bisedohet për inkuadrimin e opozitares Aleanca për Shqiptarët në shumicë.
