Nuk ka ndihmë nga mekanizmi evropian, Mickoski: Zjarre ka në të gjithë Europën, nuk ka avionë për shuarje

TË FUNDIT

Edhe pse zyrtarisht është aktivizuar Mekanizmi Evropian për ndihmë, ndihma ndërkombëtare duket pak e mundshme. Kryeministri Mickoski deklaroi se zjarre po përhapen edhe në vende të tjera dhe se duhet të mbështetemi në forcat tona, ndërsa shtoi se situata në vend është kryesisht nën kontroll.

 “Duhet pasur parasysh se zjarre të këtij lloji ka në gjithë Europën, veçanërisht në Mesdhe – në Greqi ka viktima dhe zjarre të mëdha që kanë përfshirë lagje të tëra, në Turqi gjithashtu ka të vdekur dhe të plagosur. Nuk ka avionë të lirë që mund të jenë pjesë e Mekanizmit të BE-së. Aktualisht mbi 200 pjesëtarë të Armatës janë në terren, ndërsa policia është e angazhuar me automjetet speciale BTR, Pinzgauer dhe Hermelin”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë, nga LSDM kritikojnë ashpër dhe e cilësojnë gjendjen me zjarret si alarmante, duke akuzuar pushtetin për paaftësi. Sipas opozitës, ndërhyrjet vonohen, mungon pajisja dhe nuk ka mjaft personel për të luftuar zjarret.

 “Në vend të një reagimi të shpejtë dhe të koordinuar, shohim një paaftësi katastrofale të pushtetit. Ndërhyrjet vonohen, nuk ka zjarrfikës të mjaftueshëm, nuk ka mjete të reja kundër zjarrit. Edhe pse VMRO-DPMNE premtoi përgatitjen më të mirë deri më tani, kjo doli të jetë një mashtrim i madh”, shtoi Jovica Jankoviq, LSDM.

Për ta menaxhuar më mirë situatën, Qeveria shpalli konkurs për punësimin e personave që do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve. Janë paraqitur rreth 500 persona, por afati për aplikim do të zgjatet, pasi shumë prej të paraqiturve rezultuan të jenë tashmë të punësuar, ndërsa një nga kushtet ishte të jenë kërkues aktivë të punës.