Shuma të mëdha parash për rrogat e udhëheqësve të federatave të sportit, mungesë të mekanizmave të brendshme për kontroll, kritere të papërcaktuara për përkrahje objektive dhe të drejtë financiare dhe dokumente të parregulluara për një pjesë të shpenzimeve, këta janë vetëm disa prej vërejtjeve për Agjencinë për të rinj dhe sport, që i konstatoi Enti shtetëror për revizion. Në revizionin e bërë është dhënë mendim negativ për korrektësinë dhe objektivitetin e aktiviteteve financiare për 2021, ndërsa si problem më i madh theksohet mënyra se si Agjencia u ka transferuar para federatave kombëtare të sportit.
