NUK KA DATË AS NË QERSHOR E AS NË KORRIK, GJERMANIA DO TË MARRË VENDIM NË SHTATOR

TË FUNDIT

Bien shpresat që në qershor ose korrik Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillim të negociatave aderuese. Shpresa e radhës tani është shtatori, kur Bundestagu i Gjermanisë të sjellë vendim për Maqedoninë e Veriut. Këtë lajm ia ka përcjellë  Kryeministrit Zoran Zaev vetë kancelarja gjermane Angela Merkel në takimin e sotëm 40 minutësh në Berlin.

“Kancelarja Merkel informoi se Bundestagu do të sjellë vendim në shtator për miratim të fillim të negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, në përputhje me procedurat e RF të Gjermanisë për çështjen e zgjerimit të Unionit”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zaev thotë se i beson tërësisht politikave të Merkelit ndërsa beson se në vjeshtë përfundimisht do të merret datë për nisje negociatat.

“Nga ana jonë konfirmuam se Republika e Maqedonisë së Veriut ka besim të plotë tek Kancelarja Merkel dhe e mbështet politikën e saj për procesin e zgjerimit të BE-së si dhe politikën e saj ndaj Ballkanit perëndimor. Unë tërësisht i besoj Kancelares Merkel. Besojmë fuqishëm se këtë vit i fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE dhe u bashkohemi Serbisë dhe Malit të Zi”, theksoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Duhet të respektohen procedurat dhe proceset demokratike që do t’i mundësojnë Bundestagut të sjellë vendim pozitiv në shtator” thotë  Zaev.  Ai madje citon Merkelin të ketë thënë se ajo dhe Berlini me pozitivitet e shohin përmbushjen e pritshmërive nga ana e Maqedonisë së Veriut. Një gjë të tillë e tha dje edhe Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, por duke shtuar se “jo të gjitha vendet janë të përgatitura për të marrë vendim për hapjen e negociatave ditëve në vazhdim”.

Nga ajo që dihet, vendimi i Gjermanisë që për dhënien e datës në shtator, lihet për shkak të afateve kohore të Bundestagut, megjithatë nga ana tjetër ka shtete si Franca dhe Danimarka që janë më dorështrënguar kur bëhet fjalë për zgjerim të Bashkimit Evropian. Një frikë e këtillë ekzistonte edhe për Holandën, por dje parlamenti i këtij shteti anëtar votoi pro nisjes së negociatave aderuese me Maqedoninë e veriut, ndërsa Shqipërisë i dha ‘karton të kuq’ me vërejtjen se Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përgatiti: Besir Arifi