Nuk ka buxhet për ngrohtoren e Çairit?! Ramadani: Për dy ngrohtoret e tjera të Shkupit 18 mln euro

TË FUNDIT

Dy ngrohtoreve të Shkupit, me rreth 64 mijë konsumatorë, u janë ndarë ndihme në vlerë prej 18 milionë euro, ndërsa 500 konsumatorët e Çairit janë lënë në harresë dhe nuk kanë marrë as 18 euro. Kështu deklaroi Kushtrim Ramadani, drejtor i ngrohtores “Shkup Veri”, i cili u ankua se ngrohtorja që ai menaxhon nuk është përfillur nga Qeveria. Në mesin e 500 konsumatorëve ka 13 afaristë, disa shkolla, çerdhe dhe disa institucione shëndetësore.

“I jam drejtuar qeverisë, kam bërë shkresë, ku gjysma e ministrave janë shqiptarë, disa prej tyre janë në Çair. Ministri i Ekonomisë që është përgjegjës për sektorin e energjetikës është shqiptar, ministri i Financave që është shqiptar dhe puna erdhi deri aty ku dy ngrohtoret e tjera të Shkupit që kanë 64 mijë konsumatorë, të ndahën mjete për 64 mijë konsumatorë e për 500 të Çairit të mos ndahen mjete. 18 milionë euro janë ndarë për pjesën tjetër, as 18 euro nuk janë ndarë”, tha Kushtrim Ramadani – drejtor i ngrohtores “Shkup-Veri”

Ramadani poashtu tha se drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski ia ka mbyllur telefonin i revoltuar se pa pyetur e ka lëshuar ngrohjen. E sipas Ramadanit, nga Qeveria duhej të vinin ditën e lëshimit dhe të fotografoheshin me helmeta për të treguar se “kushedi se çfarë kanë arritur.

“Kontakti im i fundit me të është kur ma ka mbyllur telefonin javën e kaluar. Ua ka mbyllur telefonin? Ma ka mbyllur telefonin. Pse? Pse, më pas mora një këshilltare të tij, nuk po e përmend me emër dhe ia tregova çështjen, i thash se ne duhet të bashkëpunojmë. Më pyeti, tha kush të ka thënë ty që me 4 dhe 5 tetor të lëshosh ngrohjen në Shkup-Veri”, pohoi Kushtrim Ramadani – drejtor i ngrohtores “Shkup-Veri”.

Nga kabineti i drejtorit të EMV-së Vasko Kovaçevski mohojnë akuzat e lartëpërmendura. Thonë se nuk ka pasur thirrje telefonike dhe se askush nuk ia ka ndalur telefonin Ramadanit.

“Pasi SHA Shkup Veri deklaroi se edhe këtë sezon të ngrohjes ka probleme financiare, Qeveria vendosi ta ndihmojë sërish këtë Shoqëri Aksionare me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim afarist-teknik me ASh EMV. Ndihma e paralajmëruar do të realizohet pas përfundimit të procedurave formale dhe ligjore në lidhje me nënshkrimin e plotë të kontratës nga të gjithë palët e përfshira në të, si dhe aspektet formale-juridike të lidhura me to nga marrëveshja e mëparshme”, thonë nga SH.A. EMV.

Mjetet nga sezoni i kaluar i ngrohjes e deri më sot nuk janë kthyer në EMV, ka deklaruar para dy ditësh Kovaçevski. Ai ka shtuar se për të bërë marrëveshje të re, ngrohtorja duhet të garantoj me pronë dhe financat e veta, që mjetet për blerjen e gazit dhe furnizimin deri në Shkup-Veri do tu kthehen sërish shoqatës EMV.