Duke mos ikur nga çështjet e hapura kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi rritjen e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë.
Këto çështje do të zgjidhen përmes bashkëpunimit në arsim, kulturë dhe infrastrukturë, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
“Ka vullnet të qartë politik për këtë. Qëndrimi ynë është se kjo duhet bërë para anëtarësimit tonë në BE. Mbetet që në periudhën që vijon përmes bisedimeve dhe dialogut të hapur me Bullgarinë të gjejmë mënyrë dhe afat kohor i cili do të jetë më adekuat që të zbatohet kjo”, deklaroi Mariçiq.
Gjatë periudhës që vjen do të ketë aktivitete të intensifikuara diplomatike. Presidenti Pendarovski do ta vizitojë homologun e tij bullgar, Rumen Radev, kurse përfaqësuesit e Qeverisë do të udhëtojnë në Paris.
“Është e vërtetë se hapja e faqeve të reja në marrëdhëniet mes të dyja vendeve është vendosur në nivelin më të lartë, në nivelin e Qeverive. Por, unë dhe kryeministri Petkov ndërmorëm iniciativën që procesi të zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, gjegjësisht nga niveli më i ulët drejt nivelit më të lartë”, vlerëson kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Eurodeputeti Ilhan Quçuk në konferencën e sotme “BGMK 2030” tha se Evropa do t’i financojë të gjitha idetë e mira që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe garantimin e perspektivës që vendet të lidhen nga aspekti i kulturës, qytetërimit dhe arsimit në kuadër të BE-së.
“Jeni modele të ndryshme kushtetuese, një model është në Republikën e Bullgarisë, e një tjetër në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Por, le të përqendrohemi në tema të rëndësishme, e ato janë 4+1. 4+1 jep perspektivë për ta rikthyer besimin dhe me këtë t’i përmbahemi marrëveshjes nga viti 2017, e cila është bazë e mirë për të vazhduar me zgjidhjen e çështjeve të hapura në të ardhmen. Nuk pajtohem dhe nuk mendoj se çështjet e vështira do të lihen anash dhe se nuk do të zgjidhen, por bashkë me arsimin, kulturën dhe infrastrukturën do të ecet përpara, pas çka do të arrihet deri te zgjidhja e çështjeve më të ndërlikuara”, tha Quçuk.
Gjatë fjalimit të tij, Kovaçevski foli edhe për njërën prej vërejtjeve të Sofjes – gjuhën e urrejtjes. Paralajmëron se të dyja vendet do të veprojnë kundër kësaj dukurie.
“U dakorduam që bashkërisht ta parandalojmë propagandën keqdashëse në qoftë se paraqitet brenda shteteve, bashkërisht të jemi kundër gjuhës së urrejtjes dhe bashkërisht ta mposhtim nacionalizmin. Përcaktimet reformuese të Sofjes dhe Shkupit janë të përkushtuara për hapje të perspektivave të reja për zhvillim dhe përparim në marrëdhëniet mes të dyja vendeve”, u shpreh Kovaçevski.
Nëse vendi edhe këtë vit nuk i hap negociatat me BE, do të bëhen 17 vjet duke pritur para dyerve të unionit, me çka ndjeshëm do t’i afrohet rekordit të Turqisë.
