Prindërit e nxënësve të një klase në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Tetovë po e bojkotojnë mësimin në shenjë revolte ndaj drejtorisë së shkollës, e cila mësueses nuk ia ka vazhduar kontratën e punës, por ka sjellë mësuese të re. Thonë se qëllimi i tyre është vetëm për të mirën e fëmijëve dhe kjo protestë nuk ka asnjë prapavijë politike.
“E duam të njëjtën mësuese, e cila ka qenë mësimdhënësja e fëmijëve tanë që nga klasa e dytë, duam që e njëjta të vazhdojë, kjo nuk ka të bëjë me çështje partiake apo politike, për ndonjë përftim tonin personal apo partiak, ne kemi ardhur në përfundim se e njëjta mësuese me emrin Emine Luma-Osmani të vazhdojë si mësuese e fëmijëve tanë për shkak se fëmijët tanë mos bëhen pre e lojërave politike që bëhen në sistemin tonë politik në komunën tonë.”- thotë Burhan Aliti, prind.
“Ne nuk duam të përzihemi në punët politike, por kur vjen puna këtu hidhet topi, jo ne s’kemi faj ju s’keni faj dhe ne kemi ngelur se nuk na përkrah askush ta kthejmë atë që duam, edhe kjo që ka ndodhur, ka ndikuar tek fëmijët në bazë psikologjike por edhe në bazën edukativo-arsimore, është keq për fëmijët se janë 7 apo 8 vjeç, nuk duam që fëmijët tanë të përfshihen në çështje politike, thjesht duhet të edukohen si në aspektin psikologjik por edhe arsimor.”- thotë Anita Aziri, Prind.
Më 31 gusht, disa arsimtarëve që ishin të punësuar me kontrata u detyruan të largohen nga puna pasi që skadoi afati i paraparë në marrëveshje, të cila drejtoritë e shkollave nuk i vazhduan, por i zëvendësuan me mësues të tjerë, deri sa të hapet konkursi i ri. Protesta të ngjashme ka pasur në shumë shkolla fillore, ku prindërit kërkojnë kthimin e mësuesve të mëparshëm.
