Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kërkon që regjistrimi të mos politizohet sepse kjo nxit situatën mes bashkësive etnike, ndërsa u shpreh se se rezultatet janë ato që janë dhe se janë pranuar e përshëndetur edhe nga institucionet relevante.
“Nëse hapim konteste, shqiptarët do të thonë edhe 200-300 mijë nuk janë regjistruar, maqedonasit po ashtu, serbët, turqit dhe çka do të bëjmë? Shtetin tonë do ta shndërrojmë në një arenë debatesh që asgjëkund nuk na shpijnë. Do të kisha dashur të apeloj tek të gjithë faktorët politikë, të mos e politizojnë dhe të mos e elektrizojnë situatën në mes të etnive”.
Opozitarja Aleanca për Shqiptarët shpreh dyshime mbi rezultatet e regjistrimit. Kreu i kësaj partie Ziadin Sela kërkon heqjen e 132 mijë qytetarëve nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni të Veriut që janë regjistruar nga burime administrative.
“Ne duhet t’i heqim dhe të mos të mos i llogarisim në regjistrimin e popullsisë këto 132 mijë banorë të cilët aty janë të regjistruar në kundërshtim me ligjin në mënyrë që deri diku të jemi në shifra të pranueshme për regjistrim”.
Zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa rezultatet i cilëson si pazar politik mes LSDM-së dhe BDI-së.
“Procesi i ndërprerjes së regjistrimit dhe pengesa që patën qytetarët sidomos ata në diasporë për tu regjistruar e humb kredibilitetin ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë. Prandaj dyshojmë se ky proces ka kaluar në pazare politik mes LSDM-së dhe BDI-së ashtu edhe si shumë çështje tjera në të kaluarën”, tha Arjanit Hoxha nga Besa.
As opozitarja VMRO-DPMNE nuk i pranon shifrat e regjistrimit.
“Regjistrimi nuk është i plotë dhe si i tillë nuk jep pasqyrë të plotë të popullsisë. VMRO- DPMNE me marrjen e pushtetit do të zbatojë regjistrim elektronik i cili do të jetë i kompletuar. Ky regjistrimi thjesht tregon atë që çdo ditë e më shumë populli ikën, ndërsa me politikat e këqija kjo do të vazhdoje”.
E nga partia në pushtet, LSDM thonë se regjistrimi është kryer me sukses dhe nuk duhet të politizohet.
“Pas pothuajse 20 viteve shteti realizoi regjistrim të suksesshëm, në përputhje me praktikat botërore dhe standardet e Eurostat. Regjistrimi është përshëndetur edhe nga Komisioni Evropian dhe nga të gjithë faktorët relevantë”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Vërejtje për rezultatet kanë edhe partia e boshnjakëve dhe turqve.
