6 muaj punojnë në ujëra të zeza, e tani brenda natës po ndërpriten kontratat e tyre. Konfederata e Sindikatave të Lira doli në mbështetje të punëtorëve të Ndërmarrjes “Ujësjellësi dhe Kanalizim”. Kërkojnë takim me Arsovskën, sepse, në të kundërtën, siç thonë, do ta bllokojnë hyrjen e Qytetit të Shkupit dhe nuk do t’i lejojnë të hyjë.
“Politikanët duhet të ndalen me këtë praktikë dhe pakënaqësinë, revoltën dhe mllefin e tyre ta mos shfryjnë mbi të punësuarit. Paramendoni çfarë situate kemi tani, ja disa prej tyre janë prapa. Çfarë atmosfere mbizotëron në familjet e tyre. Punojnë tashmë 6 muaj, një pjesë prej tyre kanë marrë edhe kredi, mos dashtë Zoti të kenë marrë kredi të shpejta sepse ato janë vjedhje, paramendoni kur një prind kthehet në shtëpi dhe u thotë fëmijëve: Unë nuk punoj më. E pse nuk punon? Sepse kryetarja një mëngjes u zgjua nervoze, nuk kishte mbi kë dhe mllefin e saj ka shfryrë mbi punëtorët”, tha Marjan Risteski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.
Të mos lejojë që mbi 100 familje të mbeten në rrugë. Të ndalen shkarkimet dhe rishpërndarjet joligjore në NP Ujësjellës dhe kanalizim Shkup, thonë nga Sindikata e punëtorëve të gastronomisë, turizmit, zejtarisë, ekonomisë komunale dhe zejtare të RMV-së, (SUTKOZ) pranë LSM-së. Kërkojnë që kryetarja e Shkupit ta rishqyrtojë vendimin e u.d. drejtorit të NP Ujësjellës dhe kanalizim Shkup për ndërprerje të marrëveshjeve të mbi 100 punëtorëve në kushte të krizës ekonomike dhe energjetike.
“SUTKOZ pranë LSM-së është rreptësisht kundër rishpërndarjes së punëtorëve të NP Ujësjellës dhe kanalizim Shkup me angazhime dhe urdhra, që është akt i njëanshëm i drejtorit dhe kjo gjë nuk është e lejueshme duke ditur se në vendin e tyre do të emërohen punëtorë të tjerë me angazhime dhe urdhra. Këto vendime nuk ofrojnë asnjë siguri juridik për punëtorët duke shkaktuar dyshim se drejtori u hakmerret punëtorëve për arsye që i di vetëm ai”, thonë nga LSM.
Arsovska dje tha se nuk do të lejojë të ketë persona që po rrinë në shtëpi dhe marrin rroga.
“Kishim indice se ka njerëz që nuk vijnë në punë ndërsa marrin rrogë. Këtë e respektoi vetëm drejtoresha e Higjienës komunale. Nga drejtorët e tjerë të ndërmarrjeve publike kërkuam të dhëna dhe atëherë mësuam se kanë punësuar militantë partiakë dhe se bëhet fjalë për mbi 100 persona”, deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Me vite të tëra për shkak të funksionarëve të paaftë, pësojnë punëtorët. Nëse dikush nuk vjen në punë, ka procedurë juridike, e jo të ndërpritet marrëveshja, tha Risteski. Sindikatat nuk e kanë të qartë se si gjatë muajve të kaluar nuk është caktuar nëse punojnë ata njerëz apo jo, por kjo gjë u bë e qartë kur Arsovska dyshoi në punën e ish-drejtorit Pirinski. Nga muaji mars, sindikatat nuk kishin këshill social ekonomik.
