Në Tetovë ende nuk dihet se sa qen endacakë janë trajtuar deri më tani. Pyetëm kryetarin e komunës së Tetovës, por ai tha se ditëve në vijim do të takohen me shoqatën Amos Pet e cila merret me trajtimin e qenve.
“Jemi në përcjellje të punës së Shoqatës. Kemi angazhuar edhe ekspertë i cili mbikëqyr punët e shoqatës ditëve në vijim. Ne kemi caktuar edhe takim me shoqatën ku do në prezantojnë edhe raportin deri ku kanë mbërritur punët edhe si janë më tutje punët. Pas takimit do të kemi edhe një paraqitje në opinion që të tregojmë se deri ku kanë mbërri punët e realizimit të kontratës sa i përket realizimit me qentë endacak.”- deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Tetovës
Kasami shtoi se është përkujdesur që procedura e tenderimit të jetë në rregull, ndërsa sa i përket punës së shoqatës, na tha të drejtohemi te ata.
“Ne jemi interesuar që e gjithë proceduara të jetë në ligj. Procedura e tenderimit është bërë në bazë të ligjit. Më tutje çka bën shoqata me qentë endacak, duhet të diskutoni me ta. Procedura jonë është që procedurën ta bëjmë me ligj edhe të përcjellim a grumbullon qen në formë të kontratës, a çka bën me qentë më tutje është puna e atyre.”- Bilall Kasami – kryetar i Tetovës.
Më 23 shtator u drejtuam ne shoqatën Amos për të pyetur se sa qen janë zënë në Tetovë deri më sot dhe se a është dorëzuar raport deri te komuna, por përgjigje nuk morëm.
Ndryshe komunat e rajonit të Pollogut kanë diskutuar që të formohet edhe një qendër rajonale për trajtimin e qeneve endacak ku e njëjta pritet të ndërtohet në komunën e Vrapçishtit.
