Nuk dihet kur do të sillen 45 kufomat e aksidentit

TË FUNDIT

Kanë kaluargjashtë ditë nga aksidenti tragjik në autostradën “Struma”, ndërsa kufomat e 45 viktimave ende nuk u janë dorëzuar familjarëve. Se kur do të ndodh kjo ende nuk dihet pasi që në Bullgari ende po vijon procesi i identifikimit të trupave përmes ADN-në. Nga kjo varet edhe transferimi i kufomave në vend, thotë Ministri i Jashtme, Bujar Osmani, duke shtuar se po përgatitet plan për të këtë.

 “Unë kam pasur dje një takim më të gjatë këtu në ministri për t’i vërtetuar të gjitha detajet, po punojmë sipas vlerësimeve se kur mund të përfundojë procesi i identifikimit”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.   

Përveç kontakteve me palën bullgare, Osmani tregoi se sot do të kontaktojë edhe me familjet e viktimave, për t’i pyetur nëse kanë ndonjë kërkesë ose propozim.

 “Dua të di se cilat janë pritjet e tyre për transferimin e trupave dhe procedurat që ta bëjmë këtë plan veprimi, patjetër se jemi duke komunikuar me autoritetet bullgare, presim përgjatë javës tjetër, megjithatë datën e saktë ende nuk mund ta vërtetojnë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Përndryshe në aksidentin e autobusit të “Besa Trans” jetën e humbën 45 udhëtarë, ndërsa 7 mbijetuan. Dy prej të lënduarve dje u sollën në Qendrën Klinike në Shkup, e në ditët në vazhdim pritet të transferohen edhe të pesë të mbijetuarit e tjerë.