NPK “Tetova” vazhdon të jetë në krizë! I kërkon komunës 5.9 milionë denarëve ndihmë

TË FUNDIT

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” vazhdon të punojë me humbje. Të punësuarit vazhdojnë të jenë me tre rroga minus dhe mbi 15 muaj kontribute të pa paguara. Kërkojnë që Këshilli komunal t’ua të mbulojë humbjet prej 5.9 milionë denarëve. Këshilltarët e BDI-së akuzojnë se ndërmarrja ka harxhuar 700 mijë euro për të punësuar me kontrata edhe 10 mijë euro për harxhime rruge dhe ushqime.

“550 mijë euro humbje në vetëm 15 muaj ndërsa ndërmarrja ka marrë mbështetjeje prej 1.4 milion eurosh, punëtorët nuk kanë marrë rroga prej tre muajsh, borxhet janë rritur ndjeshëm dhe kërkohet që sërish humbjet t’i mbulojë buxheti i qytetarëve. Ne pyesim publikisht Bilall Kasamin, kush po abuzon me mjetet publike të NPK-së, kush mban përgjegjësi për humbjet, a është kthyer NPK në bankë partiake të pagesave, si shpjegohet që 700 mijë euro janë harxhuar për kontrata në vepër, si justifikohet shifra 10 mijë euro për reprezentacion, ndërkohë që punëtorët nuk kanë rroga?!”, tha Liridon Disha, Këshilltar i BDI-së në Tetovë.

Kryetari i këshillit komunal Naim Ismaili thotë se taksa që paguhet për NPK “Tetova” është minimale dhe e pa mjaftueshme për të mbuluar harxhimet. Ismaili konfirmon se ndërmarrja ka kërkuar 5.9 milionë denarë për të mbuluar humbjet e vitit 2024.

“Taksa mujore minimale 105 denarë që e tërheqin nga faturimi “Sabubermacher” është jashtëzakonisht e ulët, kundrejt vetë shpenzimeve që i gjeneron ndërmarrja publike Tetova, unë vetë pata propozuar që të gjejmë rrugëzgjidhje për këtë ndërmarrje përmes pagesës për pastërti publike dhe përmes mirëmbajtjes së parqeve dhe gjelbërimeve. NPK “Tetova” kërkon 5 milionë e 900 mijë denarë për mbulimin e humbjeve të 2024”, pohoi Naim Ismaili – Kryetar I Këshillit Komunal Tetovë.

NPK “Tetova” në dhjetor 2024 komuna i dhuroi 1 milion e 200 mijë euro për mbulimin e rrogave të pa paguara, po edhe përkundër kësaj të punësuarit vazhdojnë të jenë me tre rroga të pa marra dhe kontribute të papaguara.