Ministri i ri i Drejtësisë, Krenar Lloga, beson se nëpër burgjet e Maqedonisë së Veriut qëndrojnë njerëz të pafajshëm, por shtoi se pafajësia e tyre duhet të dëshmohet me proces gjyqësor. Kjo sipas Llogës mund të arrihet duke e kërkuar ndihmën edhe të një komisioni vlerësues nga BE që rastet e dyshimta të hapen.
“Janë kryer disa biseda zyrtare por të cilat unë nuk do të doja të flisja sot sepse është shumë herët, sepse nuk kam informacion kthyes.
-Me numra, janë më shumë se dy?
-Janë më shumë se dy”.
Sa i përket rastit Alfa, Lloga tha se ekstradimi i një të dënuari tjetër e rëndon procedimin e lëndës për rigjykim, gjë që mund të sjellë vonesa shtesë, por shtoi se që në takimet e para me organet kompetente do të interesohet se si mund që procesi të përparojë më shpejtë.
“Me kryetarët e gjykatave por edhe me Këshillin Gjyqësor që të diskutohet dhe të merr vëmendjen e duhur që të mund të procedohet rasti me ekspertizën në fjalë e cila thotë që Agimi nuk është kryerës i veprës penale”.
Duke folur për sistemin e drejtësisë, i cili ka besueshmëri të ulët tek qytetarët, ministri i drejtësisë tha se janë bërë bisedimet e para nëse ka ose jo kapacitet Maqedonia që bashkë me aleatët të kryejë proces të vetingut.
“Në ministri nuk kam gjetur asnjë lloj dokumentacioni në lidhje me vetingun. D.m.th. gjithçka është llafe dhe prej ditës që kam ardhur kemi nisur diskutimet dhe që mendoj që për disa javë do të kemi përgjigje”.
Në lidhje me “listën e zezë” amerikane Lloga u shpreh se vetë fakti që duhet ndërhyrja e SHBA-ve për të identifikuar njerëz të përfshirë në krim dhe korrupsion, tregon se vendi nuk ka kapacitete të luftojë me këta individë.
“Do të ishte lajm i mirë që kjo listë të jetë gjithëpërfshirëse por është lajm i keq për sistemin e drejtësisë jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon”.
Në “Click Plus” Lloga po ashtu tregoi se po Ministria e Drejtësisë po përgatit letër të re për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ndërsa në arsyetim do të shkruhet se dënimin do ta vuajë në qelitë e Hagës, që i plotësojnë kushtet, pasi azilin gruevski e ka fituar me arsyetimin se Maqedonia nuk ka kushte të mira në burgje për atë kategori të dënuarish.
