Kush dhe për ç’arsye i lejon ndërtimet pa leje? Sipas kryetares së Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska kjo ndodh për dy arsye: Ose nuk ka njerëz të kualifikuar ose ka ndikime të jashtme. Duke u fokusuar në këtë të fundit, Ivanovska tha se ka rast konkret në komunën e Qendrës.
“Vjen inspektor nga Komuna Qendër, dy herë i shkruan vendim për rrënim të objektit. Objekti nuk rrënohet, vazhdon të ndërtohet ndërsa mjeshtrit u lëshojnë muzikë provokuese banorëve përreth se ligji nuk mund t’ju bëj asgjë. Në çfarë ngjan kjo? Në asgjë! Kjo është për turp!”- deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisioni Antikorrupsion.
Ivanovska shton se leje për ndërtim objekti në fjalë ka pasur për 3 kate, ndërsa është ndërtuar me 5. Për rrënimin e dy kateve për të cilat thuhet se ka pasur vendim nga Komuna Qendër pyetëm edhe këta të fundit nga ku na thanë se:
“Drejtoria për Punë Inspektuese e Komunës Qendër ka miratuar dy vendime njëra pas tjetrës për largimin e ndërtimit pa leje. Të dy vendimet e Komunës Qendër janë ankimuar në Komisionin Shtetëror për vendimmarrje në shkallë të dytë në fushën e mbikëqyrjes inspektuese dhe të procedurës kundërvajtëse dhe të dyja ankesat janë pranuar.”- thonë nga Komuna Qendër.
Nga Komuna Qendër theksojnë se në periudhën në vazhdim, Sektori për Punë Inspektuese përsëri do të veprojë, ndërsa për hapat e mëtutjeshëm opinioni do të njoftohet në kohë.
Banorët që jetojnë përreth, por që nuk deshën të flasin para kamerës, na thanë se objektit në fjalë është në pronësi të një personi të afërt me pushtetin, ndërsa ankohen se gjatë ndërtimit nuk është vendosur asnjë sinjalizim paralajmërues për rrezik.
Ky objekt nuk është i vetmi që e shqetëson kryetaren e Antikorrupsionit. Edhe për kompleksin që ka filluar të ndërtohet përballë hotelit “Holiday Inn” thotë se është në kundërshtim me ligjin.
“Për lëndën në “Holiday Inn” nuk kemi përgjigje dhe jam shumë e shqetësuar, sepse çështja është me interes të lartë publik dhe po ndërtohet në mospërputhje me planin e përgjithshëm urban. Është e paligjshme.”- dekalroi Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Antikorrupsion.
Lënda për shumëkatëshen tek “Holiday Inn” është dorëzuar edhe në Prokurori, ndërsa Ivanovska shton se është e habitur nga heshtja e tyre për çka edhe kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial të bëjë mbikëqyrje të punës së prokurorit përgjegjës këtë lëndë.
