“Një vizë, disa hyrje”, Arabia Saudite prezanton vizën njëvjeçare për Umre

TË FUNDIT

Ministria e Haxhit dhe Umres në Arabinë Saudite ka njoftuar për një sistem të ri vizash, që mundësojnë më shumë hyrje gjatë një viti për pelegrinët e Umres, përcjell TV21. Me vizën e re, e vlefshme për 365 ditë nga data e lëshimit, vizitorët mund të hyjnë disa herë në qytetet e shenjta për të kryer Umren, me një qëndrim të përgjithshëm jo më të gjatë se 90 ditë.

Sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA), kjo masë “përputhet me Vizionin Saudit 2030 dhe objektivat e Programit të Përvojës së Pelegrinëve për të lehtësuar ardhjen, për të pasuruar përvojën e pelegrinëve dhe për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve”, shkruajnë mediat e huaja.

Pelegrinët mund ta përdorin vizën e re vetëm nëse blejnë një paketë shërbimesh për Umre nga ofruesi i miratuar përmes platformës saudite Nusuk Umrah për çdo vizitë. Platforma është një “pikë unike digjitale” e Mbretërisë, e cila ofron lëshimin e vizave, akomodimin, transportin dhe rezervimet e fluturimeve për pelegrinët.

Kohëzgjatja e paketës nuk duhet të tejkalojë numrin e ditëve të mbetura në vizë, ndërsa udhëtarët duhet të sigurojnë lejen për Umre përmes platformës Nusuk para mbërritjes në Arabinë Saudite.

“Ministria konfirmoi se viza rrit fleksibilitetin në planifikimin e vizitave dhe mbështet integrimin e shërbimeve digjitale dhe operative gjatë gjithë udhëtimit të pelegrinit”, njoftoi SPA.

Pas përfundimit të pelegrinazhit dhe largimit nga vendi, viza çaktivizohet. Ajo mund të riaktivizohet për vizitën e ardhshme, pasi pelegrini të plotësojë kërkesat rregullatore. Gjithashtu, ajo mbetet joaktive gjatë sezonit vjetor të Haxhit.

Deri tani në vitin 2026, Arabia Saudite ka mirëpritur 931.500 pelegrinë me viza Umre, duke shënuar një rritje prej 22.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Vizitorët më të shumtë ndërkombëtarë kanë ardhur nga Pakistani, Indonezia dhe Iraku.

Cili është dallimi mes Umres dhe Haxhit?

Ndryshe nga Haxhi, i cili kryhet vetëm gjatë muajit islam Dhul Hixhe çdo vit, Umreja është një pelegrinazh vullnetar që mund të kryhet gjatë gjithë vitit në çdo kohë – për këtë arsye shpesh quhet edhe “Haxhi i vogël”.

Nga ana tjetër, Haxhi është një obligim fetar që kryhet një herë në jetë për myslimanët që kanë mundësi financiare dhe fizike. Ritualet kryesore të Haxhit zgjasin rreth pesë deri në gjashtë ditë, ndërsa Umreja zakonisht mund të përfundojë brenda disa orësh gjatë një dite.

Në vitin 2025, Arabia Saudite priti më shumë se 1.5 milionë pelegrinë të huaj për Haxh, të cilët mbërritën nga jashtë vendit përmes pikave të ndryshme hyrëse, sipas të dhënave të Autoritetit të Përgjithshëm për Statistika (GASTAT). Duke përfshirë edhe pelegrinët vendas, numri total kaloi 1.6 milionë persona.