Një vit pas aksidentit tragjik të autobusit të kompanisë “Besa Trans” në Bullgari, Qeveria prezantoi platformën e-transport. Përmes kësaj qytetarët do të mund të kontrollojnë transportuesit e pasagjerëve në kohë reale, llojin e licencave të transportuesve të transportit rrugor dhe nëse ata kanë lejet e duhura, ndërsa institucionet do të shkëmbejnë të dhëna, me çka pritet të kryhen kontrolle më efektive. Ministri i Transportit, ai i Punëve të Brendshme, drejtori i Inspektoratit të Transportit dhe drejtoresha e Doganave, nënshkruan marrëveshje për shkëmbim të të dhënave në pjesën e transportit rrugor dhe të mallrave. Por a është tragjedia në Bullgari shkas për këtë iniciativë?
“Nëse do të jetonim në një kohë ideale, ku njerëzit i respektojnë ligjet dhe procedurat, ndoshta nuk do të kishte nevojë ky sistem të vihet në funksion, por kur shohim se po ndodhin procedura dhe jo vetëm njëra ose tjetra që përmendët, sikurse “Besa Trans” ose raste tjera, ne vazhdimisht kemi kërkesa nga organet dhe shërbimet e kontrolleve, organet hetuese dhe prokuroritë, që të përgjigjemi në pyetjet se një automjet i caktuar, që është i ndaluar dhe ka bërë ndonjë shkelje, se a ka licenca ose jo në bazën tonë”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Për rastin “Besa Trans” u përgjigjën edhe drejtoresha e Drejtorisë së Doganave dhe Drejtori i Inspektoratit për Transport. Të njëjtit thanë se tek ata kanë përfunduar të gjitha procedurat.
“Kolegët që kanë qenë atë natë në ndërrim, është kryer kontroll i brendshëm, u janë nënshtruar procedurave disiplinore dhe menjëherë janë suspenduar nga puna. Njërit nga kolegët i ka mbaruar marrëveshja e punës, tjetri u dënua. Kështu që të gjitha gjetjet janë dorëzuar në Prokurorinë publike për hetim të mëtejmë”, pohoi Sllavica Kutirov, drejtoreshë e Drejtorisë së Doganave.
“Mendoj se nga ana jonë janë dhënë të gjitha informacionet e nevojshme përgjatë hetimit ndërkaq tani presim epilogu të përfundojë në gjykatë. Nuk kemi çfarë themi tjetër në këtë drejtim”, thonë Gajur Rushiti, drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Transport.
Përndryshe më 23 nëntor autobusi i kompanisë “Besa Trans” u aksidentua në Bullgari, ku jetën e humbën 46 persona. Në këtë çështje, një person fizik dhe një person juridik akuzohen për veprën penale të vazhduar “falsifikim dokumentesh”. Seanca për gjykimin ndaj kompanisë “Besa Trans” është caktuar për më 15 nëntor.
