Një tjetër turist gërvisht Koloseun romak

TË FUNDIT

Për Koloseun, amfiteatrin 2.000 vjeçar në qendër të Romës nuk ka paqe. Një student gjerman 17 vjeçar, që shoqërohej edhe nga mësuesi  u denoncua nga karabinierët për prishje të monumentit të famshëm, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s qysh prej vitit 1980.

Ndaj studentit gjerman, që ndodhej në udhëtimin e tij mësimor me mësuesin e artit, u morën masa administrative, teksa stafi mbikqyrës i amfiteatrit Flavio, emri që mori pas përfundimit të ndërtimit kur perandor ishte Tito Flavio Vespasiano, njoftuan se 17-vjeçari ishte ndalur teksa po gërvishte në murin e katit përdhes, duke prishur një prej tullave.

Ndaj të riut u mor masë, një gjobë 400 euro e parashikuar nga rregullorja e komunës së Romës.

Ky është rasti i tretë brenda pak javësh pasi i pari ndodhi në qershor, ku një turist amerikan shkroi emrin e të fejuarës e më pas u gjobit me një shumë të majme, ndërkohë që ai u shpreh në media se nuk kishte informacion për rëndësinë e Koloseut.

Po ashtu edhe tre ditë më parë një tjetër turiste zvicerane gdhendi inicialet e saj në monumentin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që nga viti 1980.